Fotograf
Kodi Shqiptar i Profesionit
3431.01
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Specialistë të artit, kulturës dhe kulinarisë (ISCO 343)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike (NACE 74)
Fjalë Kyçe
Fotografi, art
Përshkrim i përgjithshëm
Fotografi riprodhon imazhet e njerëzve, objekteve, situatave dhe mjediseve duke përdorur aparatin fotografik analog ose dixhital. Kujdeset për zbukurimin e konfigurimit: sfondin, dritat, rregullimin dhe vendosjen e objekteve dhe njerëzve; bën fotografitë dhe ndjek procesin e mëtejshëm të zhvillimit dhe stampimit. Zgjedh fotografitë që mendon se janë më të mira dhe më të rëndësishme, përgatit një album, një libër ose një shërbim fotografik sipas marrëveshjeve të vendosura me klientin. Veprimtaria e fotografit ka një vlerë artistike, që në thelb ka të bëjë me krijimin e një imazhi dhe një vlerë artizanale, nëse vepron direkt në zhvillimin dhe stampimin e imazheve dhe, më përgjithësisht, në të gjitha operacionet laboratorike.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Fotografi duhet të jetë në gjendje të kryejë një shërbim fotografik dhe këtu përfshihen këto veprimtari: promovon drejtpërdrejt biznesin e tij (duke publikuar albumin personal në agjensi të ndryshme, nëpërmjet faqes personale të internetit ose në faqe profesionale të sektorit); bie në ujdi me klientin për karakteristikat e fotografive që do të realizohen dhe për produktin përfundimtar (shërbim fotografik, katalog, libër, album); analizon karakteristikat e mjedisit, subjektet dhe objektet që do të fotografohen; llogarit koston e prodhimit të shërbimit fotografik dhe vlerëson çmimin e shitjes; përgatit një projekt paraprak që do t’i dorëzohet klientit; shpjegon projektin për klientin dhe bën marrëveshje për ndryshimet e mundshme; kontrollon disponueshmërinë e materialit që nevojitet dhe porositë e mundshme. Fotografi duhet të jetë në gjendje të përpunojë, të zhvillojë dhe stampojë fotografinë dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kryen përpunimin e figurave dhe korrigjon papërsosmëritë përmes përdorimit të teknologjive; kryen zmadhime dhe zvogëlime të fotografive në të gjitha formatet dhe ngjyrat; ndryshon kromimin (pikëzimin) e imazheve; bën të mundur përfshirjen e detajeve që nuk janë të pranishme në momentin e fotografimit; ndërhyn në procesin e stampimit të imazheve duke zgjedhur formatin e duhur; lan dhe stampon fotografitë në laboratorin e tij; identifikon shërbimet më të përshtatshme për larjen dhe stampimin; përgatit një album, një libër, ose një shërbim fotografik sipas marrëveshjeve me klientelën.
Njohuritë e nevojshme
Pajisjet fotografike dixhitale, pajisjet fotografike tradicionale, kinemanë, fotografinë dhe televizionin, elementët e ngjyrosjes, elementët e elektronikës, elementët e fotometrisë, elementët e teknologjisë së ndriçimit, elementët e optikës, fotografinë dhe përbërjen e imazhit, teknikat e marketingut dhe zhvillimin promovues ne internet, teknikat e stampimit fotografik, teknikat e larjes fotografike, teknikat fotografike, teknologjinë e ngjyrës, teknologjitë e fotokompozimit, teknologjitë dixhitale në fushën fotografike.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë kriteret paraprake të përpunimit. Të zbatojë teknikat e përpunimit të kostos së prodhimit. Të zbatojë teknikat e përpunimit të ideve për shërbimin fotografik. Të zbatojë teknikat e përgatitjes së aparatit fotografik. Të zbatojë teknikat e vendosjes së filmit. Të zbatojë teknikat e pozicionimit të aparatit fotografik. Të zbatojë teknikat fotografike. Të përdorë aparatët fotografikë dixhitalë. Të përdorë aparatin fotografik tradicional. Të përdorë pajisje për matjen e dritës. Të përdorë pajisje për ndriçimin skenik. Të zbatojë teknikat e modifikimit të imazheve. Të zbatojë teknikat e stampimit fotografik. Të zbatojë teknikat e zhvillimit fotografik. Të përdorë programe kompjuterike për përpunimin dhe modifikimin e imazheve (Photoshop ose të ngjashme). Të përdorë programe kompjuterike për krijimin e panoramave 360 gradë (Photovista etj).
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Në përgjithësi fotografi është një profesionist i lirë, por ai punon ndonjëherë si punonjës në laboratorë fotografish, agjensi dhe shtëpi botuese. Veprimtaria zhvillohet në fusha të ndryshme si sektori i publicitetit dhe i modës, në televizion, kinematografi, gazetari, dhe sektorë të lidhur me jetën e përditshme, siç janë krijimi i albumeve fotografike për dasma dhe festa, si dhe realizimi i fotografive në studio, të porositura për përdorime të ndryshme, duke filluar nga fotografia për dokumente e deri tek realizimi i librit fotografik. Përsa i përket pagës, fitimet mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme në varësi të numrit të klientëve ose mjedisit të punës në të cilin vepron (moda, reklamat) gjithashtu dhe nga aftësia dhe fama e fituar nga profesionisti. Meqënëse fotografia është një veprimtari komunikimi, vlera e saj është gjithashtu në funksion të asaj që një imazh është në gjendje të arrijë. Veprimtaria zakonisht paguhet për dite pune individuale ose për numrin e imazheve të realizuara dhe të shitura. Përveç aparatit fotografik, tradicional osë dixhital, dhe aksesorët e tij, fotografi duhet të jetë në gjendje të veprojë me sistemet e ndriçimit, me mjetet laboratorike për larjen dhe stampimin dhe me pajisjet kryesore kompjuterike të dobishme për ushtrimin e profesionit. Në sajë te ndryshimeve të shpejta të teknologjive të reja, një rol të rëndësishëm ka dhe familjariteti i fotografit me aplikacionet që menaxhojnë imazhet dhe mjediset virtuale. Njohuria e gjuhëve të huaja, veçanërisht të gjuhës angleze, konsiderohet gjithashtu një kërkesë preferienciale.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka parakushte detyruese.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Niveli IV të KSHK-së.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Artistike Ofrues të licencuar/akredituar
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është konstante, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar nëpërmjet punëve dhe përvojave.
Niveli i pagës bruto
Mundësitë për karrierë
Si me figurat e tjera profesionale të sektorit të spektaklit, mundësitë për karrierë për fotografin janë të lidhura ngushtë me përvojën e fituar dhe prestigjin e prodhimeve, ku ka marrë pjesë. Shumica e fotografëve hyjnë në botën e punës përmes një periudhe si ndihmës të profesionistëve me emër.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al