Infermier
Kodi Shqiptar i Profesionit
3221 – Profesionistë infermierë
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Profesionistë të infermierisë dhe mami (ISCO 322)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Aktivitete të shëndetit (NACE 86)
Fjalë Kyçe
Shërbime mjekësore, mjekim
Përshkrim i përgjithshëm
Profesionisti i infermierisë jep përkujdesje te pacienti. Ai realizon pritjen, qetësimin, rehatimin, komunikimin me pacientin dhe shoqëruesin e tij, duke identifikuar nevojat e pacientit dhe duke dhënë vlerësimin klinik mbi gjendjen e pacientit, duke marrë masa për parandalimin e rreziqeve ndaj të sëmurit dhe ndaj vetes. Profesionisti i infermierisë merr pjesë në përpunimin dhe zbatimin e kujdesjeve infermierore si dhe aplikon mjekimin me medikamente që përshkruan mjeku në zbatimin e kujdesit shëndetësor, trajtimit dhe udhëzimeve, planeve të vendosura nga institucione mjekësore, të infermierisë dhe profesionistë të tjerë të shëndetit.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Realizon pritjen, qetësimin, rehatimin, komunikimin e pacientit dhe shoqëruesit. Identifikon nevojat e pacientit dhe merr pjesë për realizimin e nevojave. Bën vlerësimin klinik mbi gjendjen e pacientit duke iu përshtatur dosjes së kujdesit dhe vendos diagnozën infermierore. Plotëson dosjen e kujdesit me saktësi, si dhe dokumentacionin tjetër të kujdesjeve infermierore. Ndërmerr veprime të parandalimit të rreziqeve dhe vlerëson situatën e rreziqeve ndaj të sëmurit dhe ndaj vetes. Ndihmon pacientin që të ambientohet në shërbimet mjekësore. Jep ndihmën psikologjike tek i sëmuri, duke e ndihmuar në aspektin biologjik, psikik dhe social për sëmundjen e tij dhe për kujdesjet infermierore që do të ndërmerren ndaj pacientit. Aplikon mjekimin me medikamente që përshkruan mjeku. Shoqëron pacientin për ekzaminime dhe për nevoja të ndryshme. Sterilizon mjetet e punës që kanë lidhje me manipulime të ndryshme dhe me procedura të tjera të kujdesit. Bën dorëzimin e pacientëve dhe të dosjes së kujdesit infermieror, të medikamenteve të urgjencës, të pajisjeve mjekësore. Bashkëpunon me ekipin mjek-infermier-sanitar. Organizon vazhdimësinë dhe lidhjen e veprimeve të kujdesit infermieror në bashkëpunim me ekipin. Mirëmban pajisjet mjekësore dhe i administron ato. Koordinon veprimet e kujdesit infermieror, duke respektuar pacientin dhe anëtarët e ekipit. Siguron transmetimin e informacionit në ekip duke favorizuar vazhdimësinë e kujdesjeve. Siguron rregull, qetësi dhe nivel të lartë higjieno-sanitar në shërbim, duke kontrolluar sanitarët. Zbaton procedurat teknike (në vendosjen e perfuzioneve, transfuzioneve, injeksioneve, intramuskulare, intravenoze, subkutane, të kateterëve, të trajtimit të plagëve etj.). Zbaton procedurat e mjekimit të plagëve. Përgatit tavolinat për manipulime dhe ekzaminime të ndryshme. Respekton rregullat e asepsisë dhe të antisepsisë.
Njohuritë e nevojshme
Njohuri specifike farmakologjike sipas shërbimeve. Njohuri mbi procedurat teknike (në vendosjen e perfuzioneve, transfuzioneve, injeksioneve, intramuskulare, intravenoze, subkutane, të kateterëve etj.). Njohuri mbi procedurat e mjekimit të plagëve. Të ketë aftësi komunikuese. Të njohë të paktën një gjuhë të huaj (parapëlqehet anglisht ose frëngjisht meqë janë gjuhët më të përdorura në fushën e shëndetësisë). Të ketë njohuri të programeve bazë kompjuterike.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të realizojë pritjen, qetësimin, rehatimin, komunikimin e pacientit dhe shoqëruesit: Të identifikojë nevojat e pacientit dhe marrë pjesë për realizimin e 14 nevojave sipas përcaktimeve nga Virxhinia Henderson. Të bëjë vlerësimin klinik mbi gjendjen e pacientit duke iu përshtatur dosjes së kujdesit dhe të vendosë diagnozën infermierore. Të organizojë planin ditor të kujdesjeve infermierore me marrjen e turnit, si dhe veprimet e kujdesit, duke i vlerësuar ato në ekip. Të plotësojë dosjen e kujdesit me saktësi, si dhe të dokumentacionit tjetër të kujdesjeve infermierore. Të ndërmarrë veprime për parandalimin e rreziqeve dhe të vlerësojë situatën e rreziqeve ndaj të sëmurit dhe ndaj vetes. Të ndihmojë pacientin që të ambientohet në shërbimet mjekësore. Të japë ndihmën psikologjike tek i sëmuri, duke e ndihmuar në aspektin biologjik, psikik dhe social për sëmundjen e tij dhe për kujdesjet infermierore që do të ndërmerren ndaj pacientit. Të aplikojë mjekimin medikamentoz që përshkruan mjeku. Të shoqërojë pacientin për ekzaminime dhe për nevoja të ndryshme. Të sterilizojë mjetet e punës që kanë lidhje me manipulime të ndryshme dhe me procedurat të tjera të kujdesit. Të rregullojë dhe pastrojë çdo ditë dhe sipas nevojave shtratin e pacientit duke u kujdesur për higjienën e tij, pozicionin në shtrat, lëvizjen apo qetësinë e tij. Të mbajë nën vëzhgim pacientin gjatë gjithë kohës. Të bëjë dorëzimin e pacientëve dhe të dosjes së kujdesit infermieror, të medikamenteve të urgjencës, të pajisjeve mjekësore. Të bashkëpunojë me ekipin mjek-infermier-sanitar. Të organizojë vazhdimësinë dhe lidhjen e veprimeve të kujdesit infermieror në bashkëpunim me ekipin. Të mirëmbajë pajisjet mjekësore dhe t’i administrojë ato. Të marrë pjesë në kërkimet klinike, në mbledhjet e organizuara nga Kryeinfermieri i Pavionit, Shërbimi, Sektori i Kujdesjeve Infermierore dhe Shefi i Shërbimit, në Sesionet e Formimit Profesional gjatë vitit, të përcaktuara në vlerësimin e tij që bëhet gjatë dhe në fund të vitit nga eprorët e tij. Të sigurojë transmetimin e informacionit në ekip duke favorizuar vazhdimësinë e kujdesjeve. Të aplikojë procedurat teknike (në vendosjen e perfuzioneve, transfuzioneve, injeksioneve, intramuskulare, intravenoze, subkutane, të kateterëve, të plagëve, drenave etj.). Të zbatojë procedurat e mjekimit të plagëve.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Infermieri angazhohet në kuadrin e marrëdhënieve kontraktuale me punëdhënësin apo mund te vetëpunësohet. Orari i punës aplikohet në përputhje me Kodin e Punës. Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë. Ajo përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive ose në kontratën individuale të punës, brenda kufijve të kohës javore maksimale të punës (jo më shumë se 40 orë). Punëdhënësi mund të kërkojë kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit.

Kërkesat për hyrje në profesion

Të ketë përfunduar studimet e larta për infermieri. Të jetë i aftë nga ana fiziko-shëndetësore. Të ketë kryer periudhën e stazhit si infermier. Të ketë dhënë Provimin e Shtetit sipas programeve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë për marrjen e Licencës së Ushtrimit të Profesionit Infermier. Të jetë i regjistruar pranë Urdhrit të Infermierit.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Master profesional në fushën e infermierisë, Niveli 7 i KSHK-së.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Fakulteti i Infermierisë në universitete.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Mund të punësohet në qendra spitalore, shëndetësore, institucione të tjera që aplikojnë shërbime shëndetësore.
Mundësitë për karrierë
Një infermier pas kryerjes së Masterit Profesional mund të kualifikohet ose të specializohet në një specialitet të caktuar me anë të kurseve afatshkurtra ose afatgjata të Edukimit Profesional në Vazhdim. Pas një periudhe 10-vjeçare të ushtrimit të profesionit si infermier dhe ecurisë së tij në grada shkencore si Masteri Shkencor apo Doktoraturë në Infermieri, infermieri mund të promovohet në poste Drejtuese apo Administrative në sektorët infermieristikë përkatës . Gjithashtu, infermierët mund të jenë pjesë aktive në Sektorin Pedagogjik dhe Didaktik të studentëve të rinj të Fakultetit të Infermierisë. Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: infermier konsultoreje, infermier në ortopedi, infermier në shërbim mjekësor, infermier në klinikë, infermier në maternitet etj.
Adresa të dobishme
www.shendetesia.gov.al; http://urdhriinfermierit.org; www.ascal.al, http://www.sociale.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al