Inxhinier teknolog për artikuj ushqimorë dhe pije
Kodi Shqiptar i Profesionit
2145.04
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Profesionistë të inxhinierisë (përjashtuar elektroteknologjinë) (ISCO 214)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Përpunimi i produkteve ushqimore (NACE 10)
Fjalë Kyçe
Inxhinier, teknolog, ushqim, ushqimor, pije, bio-teknologji
Përshkrim i përgjithshëm
Inxhinieri teknolog zotëron kompetenca në fushën e prodhimit, të ruajtjes, të kontrollit të cilësisë dhe të inspektimit dhe mbikëqyrjes në sektorin ushqimor. Inxhinieri teknolog i produkteve ushqimore bashkëpunon në identifikimin, përcaktimin e tipareve dhe kontrollin e ushqimeve që rrjedhin nga teknikat e përpunimit tradicional dhe nga proceset inovative, përmes metodave të posaçme analitike. Në veçanti, ai bashkëpunon në menaxhimin e cilësisë dhe gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore, në certifikimin e origjinës dhe të gjendjes shëndetësore të ushqimeve dhe në vlerësimin e konformitetit të produktit. Është në gjendje të përdorë teknika molekulare dhe serologjike për identifikimin dhe kontrollin e ndotësve kimikë e biologjikë në ushqimet me origjinë shtazore dhe bimore. Është në gjendje të vlerësojë përdorimin e teknikave për kthimin e tokës në gjendje të shëndetshme dhe për përmirësimin e mbetjeve të prodhimit. Njeh problemet që lidhen me përdorimin e OMGJ-ve (organizmat e modifikuar gjenetikisht) në bujqësi. Njeh rregullat dhe teknologjitë për identifikimin e OMGJ-ve në ushqime dhe në lëndët e para. Kryen studime dhe veprimtari kontrolli mbi pasojat mjedisore që rrjedhin nga përdorimi i organizmave bimore transgjenetike në bujqësi. Njeh bioteknologjitë e fermentimeve dhe është në gjendje të përdorë mikrobiologjinë në nivel industrial. Bashkëpunon në ruajtjen dhe përforcimin e produkteve ushqimore tipike të vendit përmes optimizimit dhe certifikimit të procesit dhe të produktit dhe përmes teknikave të marketingut strategjik kombëtar e ndërkombëtar.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Inxhinieri teknolog ushqimor duhet të jetë në gjendje të kontrollojë karakteristikat specifike të një produkti ushqimor dhe këtu përfshihen këto veprimtari: vlerëson tiparet agro-ushqimore të territorit: historinë dhe traditat, klasifikimin etnobotanik dhe historik; vlerëson karakteristikat e tokës; vlerëson karakteristikat organoleptike, ushqyese dhe dietike të produkteve ushqimore me origjinë bimore, shtazore dhe derivate; vlerëson korrespondencën e karakteristikave mikrobiologjike, kimike dhe gjenetike të produktit sipas përcaktimeve ligjore; vlerëson rreziqet kryesore nga ndotësit ushqimorë dhe alergjenët; kryen monitorimin e prejardhjes të gjithë zinxhirit ushqimor; kryen ndërhyrje teknike për identifikimin e mikroorganizmave me interes bujqësor; vlerëson përpunimet ushqimore të kryera nga veprimtari mikrobike; kryen studimin e jetëgjatësisë së një produkti; kryen përgatitjen e etiketimit të produktit në përputhje me dispozitat ligjore dhe normativat përkatëse; zhvillon produkte të reja sipas nevojave të zhvillimit të kushteve ushqimore, shëndetësore dhe mjedisore. Inxhinieri teknolog ushqimore duhet të jetë në gjendje të krijojë një proces të prodhimit ushqimor dhe këtu përfshihen këto veprimtari: zbaton parametrat e sigurisë së përdorimit të proceseve bioteknologjike në sektorin ushqimor; zbaton masat për të rritur qëndrueshmërinë e proceseve të prodhimit duke bërë kujdes ndaj bilancit energjitik dhe mbrotjes së mjedisit; identifikon dhe propozon linja të reja prodhimi për përgatitjen e produkteve më të sigurta; identifikon dhe propozon produkte ushqimore të reja; interpreton nevojat për inovacion të çdo faze të prodhimit për nga perspektiva e inovacionit në të gjithë sektorin agro-ushqimor; optimizon rendimentin e të korrave për të përmirësuar cilësinë e produkteve; siguron përmirësimin sasior-cilësor të prodhimtarisë ushqimore; përdor teknologjitë e përshtatshme për ruajtjen e ushqimeve; realizon proceset bioteknologjike dhe jobioteknologjike për vlerësimin e lëndëve të para dytësore. Inxhinieri teknolog ushqimor duhet të jetë në gjendje të kryejë kontrollin e cilësisë së produktit dhe të procesit të prodhimit ushqimor dhe këtu përfshihen këto veprimtari: bashkëpunon në përdorimin korrekt të sistemit të menaxhimit të cilësisë së ndërmarrjes; bashkëpunon në përgatitjen e manualit të cilësisë së ndërmarrjes; bashkëpunon në planifikimin e veprimtarive të kontrollit të cilësisë në përputhje me rregulloret aktuale; kryen kontrollin e cilësisë dhe sigurisë së përdorimit të proceseve bioteknologjike në sektorin ushqimor; kryen kontrollin cilësor të ushqimit dhe përbërjes së ushqimit; vlerëson sistemin e cilësisë të ndërmarrjes në lidhje me procesin e prodhimit ushqimor; vlerëson sistemin e menaxhimit të furnitorëve duke bashkëpunuar në plotësimin e kërkesave; bashkëpunon në veprimtaritë e auditimit të kryera nga organet e jashtme.
Njohuritë e nevojshme
Bioteknologjitë e mikroorganizmave, bioteknologjitë për kontrollin sanitar të ushqimit me origjinë shtazore, karakteristikat organoleptike, ushqyese dhe dietike të ushqimit, certifikimin vullnetar të produktit, rregulloret e prodhimit në sektorin e agro-ushqimit, elementë të analizës shqisore, elementë të ekonomisë dhe menaxhimit të biznesit, elementë të marketingut, elementë të shkencave të lidhura me ushqimin, risitë teknologjike në procesin e prodhimit ushqimor, materialet e paketimit të ushqimit, lëndët e para me bazë bimore e shtazore, merceologjia ushqimore, metodat analitike dhe analiza kimike e ushqimit, metodat e ruajtjes së produkteve ushqimore, metodologjia e kontrollit të cilësisë së proceseve të prodhimit, metodologjia e përgatitjes së manualit të cilësisë të ndërmarrjes, mikrobiologjia dhe higjiena e zbatuar në ushqimet dhe prodhimin industrial, normativa për certifikimin vullnetar, normativa për analizën e rrezikut dhe pikat kritike të kontrollit (HACCP), normativa mbi higjienën e produkteve ushqimore, standartet kombëtare dhe ndërkombëtare (SSH, EN dhe ISO) në sektorin ushqimor; normativa për etiketimin e produkteve ushqimore; veprimtaritë e reparteve në industrinë e ushqimit, planifikimi dhe përgatitja e planit të një auditimi të jashtëm, parimet për ruajtjen e mjedisit, parimet dhe metodat e menaxhimit të riskut, proceset e sektorit agro-ushqimor, proceset e ambalazhimit të produkteve ushqimore, proceset teknologjike-bioteknologjike për ruajtjen dhe përpunimin e ushqimeve, cilësia dhe siguria mikrobiologjike të ushqimeve, shkencat dhe tekonologjitë ushqimore, sistemet e cilësisë dhe modelet kryesore (TQM etj.), sistemet e cilësisë në ndërmarrjet dhe në zinxhirin agro-ushqimor, standartet e cilësisë së produkteve ushqimore, standartet e cilësisë së lëndëve të para ushqimore, teknikat e analizës shqisore, teknikat e auditimit, teknikat për kryerjen e një auditimi gjurmueshmërie, intervistimeve dhe ekzaminimit të regjistrimeve, teknikat e menaxhimit të projektit, teknologjia e proceseve të prodhimit dhe përpunimit ushqimor, teknologjia e ruajtjes së ushqimit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë metodat e analizës kimike. Të zbatojë metodat e analizës mikrobiologjike. Të zbatojë normativën për higjienën e produkteve ushqimore. Të zbatojë normativën për etiketimin e produkteve ushqimore. Të zbatojë procedurat për analizën e rreziqeve dhe pikat kritike të kontrollit (HACCP). Të zbatojë protokollet e sistemeve të cilësisë së ndërmarrjeve. Të zbatojë teknikat e analizës shqisore. Të zbatojë teknikat e ruajtjes së ushqimeve. Të përdorë metodologjitë e gjurmueshmërisë. Të zbatojë planet e inovacionit teknologjik në procesin e prodhimit ushqimor. Të zbatojë procedurat për kontrollin e gjendjes së ruajtjes së ushqimeve. Të zbatojë teknikat e paketimit të produkteve. Të zbatojë teknikat e kontrollit të standardeve te produktit. Të zbatojë teknikat e ndërhyrjes mbi aspektet mikrobiologjike-biokimike të proceseve. Të zbatojë teknikat e menaxhimit të projektit. Të përdorë pajisje për kontrollin e prodhimit. Të përdorë dokumentacionin teknik të produktit. Të zbatojë normativën përkatëse për certifikimet vullnetare. Të zbatojë normativat (SSH, EN dhe ISO) në sektorin ushqimor. Të zbatojë metodologjitë e kontrollit të cilësisë në proceset e prodhimit. Të zbatojë metodologjitë e menaxhimit të riskut. Të zbatojë procedurat e kontrollit të cilësisë së produkteve ushqimore. Të zbatojë standardet e cilësisë në ndërmarrje dhe në zinxhirin agro-ushqimor. Të përdorë metodologjitë për hartimin e manualit e cilësisë së ndërmarrjeve. Të përdorë teknikat e auditimit.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Inxhinieri teknolog ushqimor vepron në industrinë ushqimore në sektorin e prodhimit, të ruajtjes, të kontrollit të cilësisë në mënyrë që të promovojë mjetet për të sjellë risi te produktet dhe proceset, dhe për të nxitur strategjitë e certifikimit për të rritur vlerën, promovuar, shpërndarjen dhe mbrojtjen e produktit. Mund të gjejë pozicion si punonjës i brendshëm, ashtu edhe si konsulent për organet kërkimore, entet publike dhe private, entet zyrtare të kontrollit e të certifikimit dhe në universitetet me veprimtari specifike laboratorike rreth bioteknologjisë në sektorin ushqimor, apo edhe në nivele menaxhimi dhe administratimi, në programe zhvillimore, si mbikëqyrës i bioteknologjive të zbatuara në sektorin ushqimor. Mundësitë profesionale gjithashtu duhet të identifikohen në kontekstin e ndërmarrjeve të shërbimit dhe konsulencës për kontrollin e ushqimeve si për pëdorim njerëzor ashtu edhe për përdorim zooteknik, për mbrojtjen dhe kontrollin e mjedisit bujqësor, në ndërmarrje që prodhojnë pajisje bioteknologjike për bujqësinë dhe në kontekstin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Kërkesat për hyrje në profesion

Diplomë e nivelit të parë në shkencat e teknologjitë e mjedisit, shkencat natyrore, shkencat gjeologjike, biologji, bioteknologji, shkencat e tokës, shkencat e teknologjive kimike, shkencat bujqësore, teknologji zooteknike, dhe kualifikime të barazvlefshme në fusha të ngjashme.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin VII të KSHK-së. Për të ushtruar profesionin rekomandohet pjesëmarrja në kurse specializimi të ofruara nga organizata e institucione në sektorin e kërkimit dhe arsimit të lartë, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Universitetet. Ofrues të licencuar/akredituar kombëtarë e ndërkombëtarë.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është vazhdimisht e lartë, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si punonjës prodhimi ose laboratori. Me kualifikime mund të arrihet në nivele të larta dhe në pozicione si drejtues reparti, laboratori apo përgjegjës prodhimi. Mundësi të tjera ofrohen në konsulencë private, apo edhe si auditor ose inspektor si palë e dytë ose e tretë.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al