Kamarier
Kodi Shqiptar i Profesionit
5131.01
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Kamarierë dhe banakierë (ISCO 513)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Shërbime ushqimi dhe pije (NACE 56)
Fjalë Kyçe
Mikpritje, restorant, bar, ushqim, pije, katering
Përshkrim i përgjithshëm
Kamerieri i sallës së lokalit punon në mjedise dhe nivele të ndryshme të strukturës së hotelerisë. Organizon sistemimin e sallës së ngrënies dhe të tavolinave, mirëpret klientët dhe i shoqëron në tryeza, prezanton menunë dhe listën e verërave dhe jep këshilla për kombinimet e mundshme me pjatat. Merr porositë dhe menaxhon shërbimin e tavolinave, duke u siguruar që klientët të mbetet të kënaqur. Kur është e nevojshme realizon recetat e kuzhinës në praninë e klientit (prerja e mishit ose peshkut). Dërgon faturën të klientët dhe pranon pagesën. Në rastet e pritjeve dhe bufe ai bën përgatitjet e nevojshme dhe merr pjesë në shërbim. Ai kujdeset për sistemimin e sallës si dhe për pastrimin dhe rregullimin e tryezave dhe karrigeve pas përdorimit.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Kamerieri duhet të jetë në gjendje të sistemojë dhe të rregullojë sallën dhe tavolinat e sallës dhe këtu përfshihen këto veprimtari: shtron tavolinat duke mbajtur parasysh rezervimet dhe menunë, pastron tryezat duke hequr mbulesat dhe pecetat, vendos tryezat dhe karriget në pozicionin e tyre të zakonshëm, pastron sallën duke zbatuar procedurat e duhura të shëndetit dhe higjienës. Kamerieri duhet të jetë ne gjendje të kryejë shërbimin e restorantit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: shërben verërat, përcjell porositë, u përgjigjet kërkesave të klientëve gjatë konsumimit të ushqimit (porosi të tjera për pije, ose pjata të tjera, kërkesë për informacion mbi përgatitjen e pjatave ose mbi kuzhinën tradicionale…), përshtat teknika të ndryshme shërbimi bazuar në menunë dhe llojin e strukturës mikpritëse. Kamerieri duhet të jetë në gjendje të mirëpresë klientët e restorantit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: verifikon rezervimet, pret klientët dhe i shoqëron në tryezë, prezanton menunë dhe rekomandon verërat, duke u përgjigjur kërkesave të klientëve, mban shënim komentet e klientëve dhe menaxhon ankesat, mban shënim në mënyrë të organizuar porositë e pjatave dhe pijeve, përcjell porositë në kuzhinë, në banak dhe në arkë.
Njohuritë e nevojshme
Rregullat e përgatitjes së sallës së restorantit, rregullat e pozicionimit të tavolinave, elementë të kulinarisë, elementë të enologjisë, elementë të higjienës mjedisore, elementë të higjienës në punë, përbërësit për dekorimin e pjatave, përdorimi i materialeve për dekorimin e tavolinave (mbulesa tavoline, peceta, takëmet e të ngrënit, etj.), organizimi i kuzhinës, organizimi i shërbimit të barit, produktet e pastrimit dhe të dezinfektimit, teknikat e shërbimit të sallës, teknikat e pritjes së klientëve, llojet e pijeve.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë kriteret për rregullimin e tryezave dhe sallave. Të zbatojë teknikat për shtrimin dhe përgatitjen e tryezës. Të zbatojë rregullat e shërbimit të sallës. Të zbatojë teknikat e plotësimit të porosive. Të zbatojë teknikat e dekorimit të pijeve dhe ushqimeve. Të zbatojë teknikat për shërbimin e ushqimeve dhe pijeve. Të zbatojë rregullat për shërbimin e verës. Të përdorë instrumentat për shërbimin e pjatave. Të zbatojë rregullat dhe kriteret për kombinimin e ushqimit dhe pijeve. Të zbatojë teknikat e komunikimit efektiv. Të zbatojë teknikat e ndërveprimit me klientët. Të zbatojë parimet e higjienës dhe të sigurisë.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Puna e kamarierit zhvillohet në hotele, bare, restorante, mensa ose me vetëshërbim. Kontratat që zakonisht zbatohen për këtë pozicion hyjnë në kategorinë e punësimit me kohë të plotë ose pjesshme, me afat ose me kohë të pacaktuar. Ai gjithashtu ushtron veprimtarinë e tij brenda një grupi pune, duke ndërvepruar me drejtuesin, kuzhinierin dhe kamerierët e tjerë. Shumë herë, puna e kamerierit zhvillohet në mjedise të mbushura me njerëz dhe në hapësira të ngushta. Oraret e punës ndryshojnë në varësi të llojit të organizimit të klientelës dhe të sezonit. Kamerierit i kërkohet gatishmëria për të punuar jashtë orarit dhe me turne (oraret e mbrëmjes dhe gjatë festave).

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të posaçme. Nevojitet arsim bazë dhe mosha 16 vjeç.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Kurse të formimit profesional me kohëzgjatje të paktën 2-mujore nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës, ose ndjekja e shkolla profesionale më të gjata të specializuara për hoteleri dhe turizëm.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale të Hotelerisë dhe Turizmit. Ofrues të licencuar/akredituar.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Punësim gjendet në sektorin e restoranteve. Tregu i restoranteve përfaqëson një komponent me rëndësi parësore për turizmin. Prandaj, kërkesa për këtë profesion është e lartë, sidomos për njerëz me përgatitje të gjerë dhe kompetencë profesionale.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës. Me kualifikime dhe përvojë mund të arrihet në nivele të larta të kamerierit deri në kryekamerier apo shef salle. Përvoja si kamerier mund të jetë shumë e dobishme për pozicione drejtuese në struktura turistike të përmasave të ndryshme. Kamerierë të suksesshëm zgjedhin edhe të krijojnë bizneset e tyre të barit apo të restorantit, vetëm ose me ortakëri.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.atu.org.al; www.ata.org.al; www.shum.al; www.profesionisti.al; www.karriera.al