Kasap
Kodi Shqiptar i Profesionit
7511.04
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Punonjës në teknologjinë ushqimore (ISCO 751)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Përpunimi i produkteve ushqimore (NACE 10)
Fjalë Kyçe
Përpunim ushqimor, përpunim mishi,
Përshkrim i përgjithshëm
Kasapi merret me therjen e kafshëve dhe përgatitjen e mishit të prerë për shitje ose përpunim të mëtejshëm në përputhje me rregulloren e ushqimit dhe të higjienës. Kryen therjen, derdhjen e gjakut, heqjen e kockave deri në ndarjen e prerjeve të veçanta të mishit, duke përdorur mjete dhe pajisje të posaçme të zgjedhura në mënyrë të përshtatshme për llojin e kafshëve, mishit, produktit dhe përpunimit. Menaxhon të gjithë procesin e përgatitjes së mishit: prerjen, paketimin dhe furnizimin. Nëse punonjësi është i specializuar, mund të kryejë edhe ndarjen e pjesëve të mëdha, nga heqja e kockave deri në ndarjen e prerjeve të veçanta të mishit. Përveç përgatitjes së mishit për shitje, mund të merret dhe me shitjen drejtpërdrejt te klienti. Në rastin e kasapit të banakut në njësitë tregtare ose në ndërmarrjet e mëdha të shpërndarjes, ai merret posaçërisht me përgatitjen e mishit për shitje (zakonisht të prerë më parë dhe të ndarë në pjesë të mëdha).
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Kasapi duhet të jetë në gjendje të kryejë furnizimin e banakut ushqimor dhe këtu përfshihen këto veprimtari: regjistron kërkesat në lidhje me mallrat që mungojnë në banak; regjistron kërkesat për lëndës të parë për punishten; kontrollon nga pikëpamja e sasisë (përputhshmërinë me porosinë) dhe cilësisë (verifikon afatet e përdorimit dhe standardet e cilësisë) për produktet në hyrje; zbaton rregullat/ kriteret për ruajtjen dhe magazinimin në dhomat e posaçme sipas karakteristikave të produkteve; kryen në mënyrë periodike veprimtaritë e nevojshme për pastrimin dhe dezinfektimin e banakut, të pajisjeve dhe të mjeteve të punës përmes përdorimit të produkteve specifike; rregullon banakun duke vendosur produktet në përputhje me standardet e komunikimit dhe higjienës. Kasapi duhet të jetë në gjendje të kryejë përpunimin e parë të mishit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: lexon anatominë e kafshës dhe të llojeve të ndryshme të prerjeve të mishit; përcakton pozicionimin më të mirë të kafshës për të filluar procesin e therjes; ther kafshën; rrjep kafshën; parashikon ndikimin që kanë te mishi llojet e ndryshme të përpunimit; heq kockat duke i ndarë nga pjesët kryesore të kafshëve; largon të brendshmet e kafshëve të therura; kryen një pastrim të thellë (higjienizim dhe sterilizim) të mjediseve të punës dhe të mjeteve të përdorura; mpreh mjetet për prerje me dorë dhe ato elektrike; largon lëkurën e kafshëve të therura; kryen veprimtari të ndryshme në përputhje me normativat specifike (normativat shëndetësore për prodhimin dhe tregtimin). Kasapi duhet të jetë në gjendje të kryejë shitjen e produkteve ushqimore dhe këtu përfshihen këto veprimtari: mirëpret klientin; orienton dhe këshillon klientelën duke u bazuar në kërkesat e shprehura; informon klientin rreth karakteristikave të produkteve të ofruara dhe alternativat e mundshme të blerjes; propozon oferta speciale; ofron prova të vogla për shijim (paraqet produkte të reja dhe metodat e përdorimit në kuzhinë); mbledh çdo ankesë të mundshme të klientelës duke i raportuar ato te përfaqësuesit përkatës; peshon dhe vendos çmimin produkteve; realizon paketimin e produkteve; vendos produktet e paketuara në enë të përshtatshme për transport. Kasapi duhet të jetë në gjendje të përgatisë mishin për shitje dhe këtu përfshihen këto veprimtari: grin mishin, duke respektuar kohën e parashikuar nga rregullorja për qëndrueshmërinë në dhomat frigoriferike; zgjedh dhe merr produktet nga frigoriferi ose depoja duke u siguruar për qarkullimin e saktë të mallit gjendje në magazinë; mpreh mjetet e prerjes dhe përgatit makinat e prerjes ose pajisjet e përpunimit; eliminon kockat kryesore të pjesëve të kafshëve, në rast se copat e mishit nuk vijnë të pastruara më parë; kryen një ndarje të parë duke ndarë mishin në pjesët kryesore anatomike; përcakton llojet e përpunimit dhe teknologjitë përkatëse për përpunimin e pjesëve të mishit; identifikon strukturën themelore të produktit të mishit në mënyrë që të përgatisë përbërësit dhe kombinimet e tyre të mundshme; përzgjedh pjesët e mishit më të përshtatshme për produktin që do të realizohet; kryen pastrimin e mishit duke eliminuar dhjamin dhe nervin; pret mishin në feta për produktet e gatshme; kalon në grirje copat e vogla të mishit që nuk shiten ndryshe; paketon përgatitjet specifike (role mishi ose salsiçe, qofte, hamburger etj.) duke i lidhur dhe përdorur erëzat si duhet; zgjedh cilësinë dhe dozat e erëzave dhe të produkteve të tjera ushqimore për përgatitjen e produkteve gjysmë të gatshme të mishit; paketon dhe vë në ruajtje mishin në përputhje me normativat.
Njohuritë e nevojshme
Sjelljet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të mishit sipas procedurave të përpunimit, elementë të anatomisë së kafshëve, elementë të kujdesit ndaj klientit, elementë të higjienës së punës, produktet ushqimore, njohuri për tregun e mishit dhe të produkteve të mishit, rregullat për analizën e rrezikut dhe pikat kritike të kontrollit (HACCP), rregullat mbi higjienën e produkteve ushqimore, rregullat mbi identifikimin, therjen, përpunimin dhe tregtimin e mishit, nocionet e cilësisë së shërbimit, proceset e përgatitjes së mishit për shitje, procesin e përpunimit të mishit, produktet e dyqanit të mishit, sistemet e vendosjes së çmimit produkteve, standardet e cilësisë së lëndëve të para ushqimore, teknikat e prokurimit të produkteve, teknikat për ruajtjen e produkteve ushqimore, teknikat promovuese, mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë në punë.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë kriteret për vlerësimin e freskisë së produkteve ushqimore. Të zbatojë rregullat për higjienën e produkteve ushqimore. Të zbatojë procedurat për analizën e rreziqeve dhe pikat kritike të kontrollit (HACCP). Të zbatojë teknikat e ruajtjes së ushqimit. Të zbatojë teknikat e pastrimit të mjediseve. Të zbatojë procedurat për kontrollin dhe ruajtjen e mishit. Të zbatojë procedurat për kontrollin e cilësisë së lëndës së parë ushqimore. Të zbatojë teknikat e përpunimit të mishit. Të zbatojë teknikat e therjes. Të zbatojë procedurat e raportimit të mallrave që nuk respektojnë rregullat e produkteve ushqimore. Të zbatojë teknikat e komunikimit ndërpersonal. Të zbatojë teknikat e paketimit të mallrave. Të zbatojë teknikat e prezantimit të produkteve. Të zbatojë teknikat e shitjes. Të zbatojë parametrat e kontrollit për ndryshimet organoleptike të mishit të përpunuar. Të zbatojë sistemet e mprehjes së mjeteve prerëse (për ushqimet). Të zbatojë teknikat e pastrimit nga kockat. Të zbatojë teknikat e grirjes së mishit. Të zbatojë teknikat e prerjes në feta të mishit. Të përdorë pajisje për ruajtjen e ushqimeve. Të përdorë mjete prerëse për therje. Të përdorë mjete për përpunimin e mishit. Të përdorë pajisje për peshimin e produkteve ushqimore. Të përdorë mjete për pastrimin e ushqimeve. Të përdorë pajisje për mbrojtjen personale. Të përdorë pajisje për sigurinë e mjediseve të punës.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Veprimtaria zhvillohet në industritë ushqimore, supermarkete, dyqane mishi, thertore, ose në rastin e kasapit në banak, pranë dyqaneve të vogla ose të mesme, ose brenda ndërmarrjeve të shitjes me shumicë të produkteve të mishit. Në dyqanet tradicionale mund të punojë vetëm, me bashkëpunëtorë të tjerë, ose si kasap i specializuar në cilësinë e pronarit ose si punonjës.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të veçanta.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Mund të ndiqen kurse dhe trajnime profesionale, duke marrë parasysh që më së shumti përvoja fitohet në vendin e punës, duke vëzhguar dhe ndihmuar punonjësit më ekspertë. Transferimi për ata që vijnë nga përpunimi i bagëtive mund të jetë kryerja e punëve të ngjashme në ndërmarrjet e shpërndarjes me shumicë ose në ndërmarrjet tregtare. E rëndësishme për figurën është përditësimi i vazhdueshëm në lidhje me rregulloren higjieno-shëndetësore.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Ofrues të licencuar/akredituar
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion mbetet e lartë, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar nëpërmjet kurseve të formimit dhe punës praktike.
Niveli i pagës bruto
Fillon me 40.000 lekë (i ndryshueshëm në varësi të vendit)
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës. Me kualifikime mund të arrihet në nivele më të larta dhe në pozicione si drejtues reparti. Profesionistë të suksesshëm zgjedhin edhe të punojnë me njësitë e tyre të vogla të shërbimit si sipërmarrës të vegjël.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al