Saldator
Kodi Shqiptar i Profesionit
7212.09
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Fonditorë, saldatorë, punëtorë llamarine, përgatitës të konstruksioneve metalike, etj (ISCO 721)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Prodhimi i produkteve metalikë të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve (NACE 25)
Fjalë Kyçe
Saldim, përpunim metali, prodhime metalike
Përshkrim i përgjithshëm
Saldatori kryen montimin e pjesëve metalike përmes proceseve të saldimit, duke përdorur llojet e ndryshme të materialeve si: çelik, alumin, bakër, nikel, titan. Saldatori siguron punë me cilësi të lartë dhe kontrolle shumë të specializuara, me saktësi të madhe e në përputhje me normativat kombëtare dhe ndërkombëtare. Nisur nga vizatimet teknike saldatori zbaton teknika të ndryshme të saldimit në bazë të materialeve që do të përdoren dhe kryen rregullimet e fundit të pjesëve duke eliminuar parregullsitë, që mund të jenë krijuar gjatë punës.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Saldatori duhet të jetë në gjendje të kryejë montimin e pjesëve metalike përmes proceseve të saldimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: lexon dhe interpreton dokumentacionin teknik të përgatitur, zgjedh mjetet dhe metodat më të përshtatshme për kryerjen e saldimit, pastron dhe përgatit me ndihmën e mjeteve dhe pajisjeve sipërfaqet për t’u salduar, pozicionon dhe fikson pjesët, planifikon përdorimin e mjeteve të saldimit, përcakton sasinë e nevojshme të metalit dhe materialeve, kryen saldimin, regjistron të dhënat teknike për punën e kryer. Saldatori duhet të jetë në gjendje të kryejë kontrollin e cilësisë së saldimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: provon cilësinë e saldimeve dhe evidenton defekte të mundshme përmes kontrollove, studion mundësitë për të korrigjuar pjesë të deformuara ose me saldime defektoze, kryen punimet përfundimtare dhe rregullimet e mundshme të saldimit të kryer, provon qëndrueshmërinë e saldimit dhe kontrollon me kujdes punën e kryer, zgjedh mjetet e përshtatshme për punë të veçanta saldimi, vlerëson produktet përfundimtare duke vënë në dukje anomali ose defekte të mundshme, regjistron të dhënat teknike për punën e kryer.
Njohuritë e nevojshme
Vizatimin mekanik, elementë të metalurgjisë, makineritë për përpunimin e hekurit, mekanikën, normativat cilësore për saldimin, procedurat e kontrollit të cilësisë, streset mekanike dhe qëndrueshmërinë e materialeve, mjetet e saldimit, teknikat e saldimit të metaleve, teknologjinë e materialeve të saldueshme, rregullat për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë procedurat e sigurisë në prodhim. Të zbatojë procedurat e tarimit të pajisjeve të saldimit. Të zbatojë procedurat e specifikimit dhe kualifikimit të procedurave të saldimit (WPS). Të zbatojë teknikat e lidhjes së pjesëve metalike. Të zbatojë teknikat e saldimit të metaleve dhe lidhjeve. Të zbatojë teknikat e planifikimit të veprimtarive. Të zbatojë procedurat e kontrollit të cilësisë për saldimin. Të zbatojë procedurat për raportimin e papërputhshmërive të pjesëve të përpunuara. Të përdorë pajisje mbrojtëse personale. Të përdorë sustat për saldimet e çelikut. Të përdorë instrumenta të raportimit. Të përdorë pajisje për saldim: saldim me tela, saldim me hark elektrik, TIG, lazer, plazma, oksacetilen. Të përdorë procedurat e kontrollit të qëndrueshmërisë për materialet e salduara. Të përdorë mjete dhe teknika për matjen e standardeve të cilësisë.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Saldatori punon në ndërmarrje të prodhimeve metalike, në repartet e prodhimit, por mund të punojë edhe në kantieret e ndërtimit, ofiçina dhe ndërrmarje të sektorëve të ndryshëm. Ai raporton zakonisht tek udhëheqësi i ekipit ose përgjegjësi i repartit. Ai është i ekspozuar ndaj kimikateve, pluhurit dhe zhurmës. Saldatori mban veshje speciale mbrojtëse. Mund të ndodhë që t’i duhet të punojë në lartësi ose në mjedise të kufizuara apo rrethana të tjera të veçanta.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nevojitet arsim bazë dhe një formim i specializuar. Për punime të një cilësie të lartë mund të kërkohet titulli "European Welding Specialist". Ky titull lëshohet nga organizma të njohur nga Federata Evropiane e Saldimit (EWF- European Welding Federation). Në varësi të vendit të punës mund të kërkohen dëshmi të tjera të tjera të kualifikimit profesional.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Kurse të formimit profesional me kohëzgjatje të paktën 1-vjeçare nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale të Mekanikës Ofrues të licencuar/akredituar
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e lartë, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës saldator. Me kualifikime mund të arrihet në nivele të larta të saldatorit dhe në pozicione si drejtues reparti apo kantieri. Saldatore të suksesshëm zgjedhin edhe të punojnë me porosi e projekte e të mos jenë në punësim të vazhdueshëm.
Adresa të dobishme
https://www.ewf.be/; www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.atu.org.al; www.ata.org.al; www.shum.al; www.profesionisti.al; www.karriera.al