Restaurator
Kodi Shqiptar i Profesionit
2621.08
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Arkivistë, librarë, bibliotekistë dhe kuratorë (ISCO 262)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Aktivitete krijuese, arte, dhe aktivitete çlodhëse (NACE 90)
Fjalë Kyçe
Restaurim, trashëgimi kulturore, pasuri kulturore.
Përshkrim i përgjithshëm
Tekniku restaurator i sendeve të lëvizshme të trashëgimisë kulturore dhe të sipërfaqeve të dekoruara të pasurive arkitektonike të palëvizshme është figura profesionale që bashkëpunon me përgjegjësin restaurator duke marrë vendime në mënyrë të pavarur sipas aftësive të tij teknike. Është personi që kryen veprime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për të kufizuar proceset e degradimit të pasurive dhe për të siguruar ruajtjen e tyre. Kryen veprimtari të cilat sigurojnë ekzekutimin e saktë sipas udhëzimeve metodologjike dhe operative dhe nën drejtimin dhe kontrollin e drejtpërdrejtë të përgjegjësit restaurator. Ai ka përgjegjësi të kujdeset për mjedisin e punës dhe pajisjeve, kujdeset për përgatitjen e materialeve të nevojshme për ndërhyrjet që do të kryhen sipas udhëzimeve metodologjike të përgjegjësit restaurator. Çdo teknik i restaurimit punon kryesisht në disa lloje të trashëgimisë kulturore dhe zotëron njohuri dhe aftësi të posaçme në lidhje me këto lloje të trashëgimisë (për shembull: kanavacë, afreske, pasuri bibliotekare etj.). Për llojin e pasurive kulturore mbi të cilat vepron tekniku i restaurimit të trashëgimisë kulturore, duhet të mbahet parasysh korniza ligjore përkatëse, nën kujdesin e ministrisë së Kulturës dhe institucioneve në varësi. Ndër specializimet profesionale të restaurimit përfshihen sa më poshtë: 1) Materiale prej guri, mozaikë dhe derivate 2) Sipërfaqe të dekoruara të arkitekturës 3) Artefakte të pikturuara në dru dhe tekstil 4) Artefakte të gdhendura në dru, orendi dhe konstruksione prej druri 5) Artefakte në materiale sintetike të montuara dhe/ose të pikturuara 6) Materiale dhe artefakte tekstile, organike dhe lëkure 7) Materiale dhe artefakte qeramike dhe qelqi 8) Materiale dhe artefakte metali dhe aliazhi 9) Libra dhe arkiva, artikuj letre dhe pergamene 10) Materiale fotografike, kinematografike dhe dixhitale 11) Vegla muzikore 12) Instrumente dhe mjete shkencore dhe teknike.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Tekniku restaurator duhet të jetë në gjendje të bashkëpunojë në veprimtaritë kërkimore që synojnë rindërtimin historik, kulturor dhe ruajtës të trashëgimisë kulturore dhe këtu përfshihen këto veprimtari: identifikon teknikat e realizimit dhe materialet përbërëse të pasurisë kulturore në kontekstin e origjinës; vlerëson gjendjen e ruajtjes dhe shkaqet e degradimit sipas një fjalori të përbashkët profesional; zbulon teknikat e realizimit dhe materialet përbërëse dhe arrin të dallojë aspekteve grafike dhe fotografike të objekteve. Tekniku restaurator duhet të jetë në gjendje të bashkëpunojë në përcaktimin e planit të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe këtu përfshihen këto veprimtari: mbledh të dhëna për vlerësimin e kushteve të degradimit të pasurisë dhe ndërveprimit midis veprës dhe kontekstit; organizon dokumentacionin e mbledhur në përputhje me udhëzimet e dhëna nga përgjegjësi restaurator; kryen matje, zbulime, dhe mbikëqyrje të mjedisit dhe të pasurive kulturore; harton dosjen grafike, fotografike, dokumentare dhe mbledhjen e të dhënave për hartimin e raporteve teknike të ruajtjes. Tekniku restaurator duhet të jetë në gjendje të kryejë, nën drejtimin dhe kontrollin e përgjegjësit restaurator, veprimtaritë e parandalimit, restaurimit dhe mirëmbajtjes së trashëgimisë kulturore dhe këtu përfshihen këto veprimtari: siguron zbatimin e sigurt të planit të ruajtjes, të veprimtarive parandaluese, mirëmbajtjes dhe restaurimit të pasurisë kulturore, nën drejtimin dhe kontrollin e përgjegjësit restaurator; kryen ndërhyrjen operative të parashikuar nga projekti i konservimit. Tekniku restaurator duhet të jetë në gjendje të përgatisë dokumentet në lidhje me veprimtaritë e kryera dhe rezultatet e arritura dhe këtu përfshihen këto veprimtari: përgatit dokumentacionin për të gjitha fazat e punës; arkivon dokumentet (letër, video, dixhitale, fotografike); plotëson dhe përditëson dokumentet që ka për kompetencë në lidhje me kantierin/ laboratorin; organizon dokumentacionin e mbledhur në përputhje me udhëzimet e dhëna nga përgjegjësi restaurator; harton dokumentacionin teknik të laboratorit/kantierit. Tekniku restaurator duhet të jetë i gatshëm të bashkëpunojë në menaxhimin e laboratorit të restaurimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: përgatit materiale dhe pajisje që do të përdoren në fazat e ndryshme të ndërhyrjes, sipas udhëzimeve të dhëna nga përgjegjësi restaurator; mbikëqyr nevojat për materiale dhe pajisjet e nevojshme për zbatimin e planit të ruajtjes; organizon punën e përditshme, riorganizimin dhe mbylljen e kantierit / laboratorit të ndërtimit; bëhet pjesë e procesit të paketimit dhe lëvizjes së sigurtë të veprave, nën drejtimin dhe kontrollin e përgjegjësit restaurator dhe në bashkëpunim me profesionistë dhe figura të tjera të përfshira.
Njohuritë e nevojshme
Karakteristikat historiko-artistike të llojeve të ndryshme të trashëgimisë kulturore; etikë profesionale; elementë të e biologjisë së aplikuar; elementë të biologjisë diagnostikuese; elementë të kimisë së aplikuar të restaurimit; elementë të kimisë diagnostikuese; elementë të fizikës së aplikuar; elementë të fizikës diagnostikuese; legjislacioni për trashëgiminë kulturore dhe peizazhin; dukuritë e degradimit të pasurisë kulturore; ikonografia dhe ikonologjia; gjuhë të huaja teknike; metodat dhe teknikat e vizatimit artistik; metodologjitë dhe metodat për manipulimin e koleksioneve; legjislacioni për restaurimin; legjislacioni për shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës; parametrat optimale mjedisore të ruajtjes së llojeve të ndryshme të trashëgimisë kulturore; procedurat dhe teknikat e restaurimit; kushtet e sigurisë për asgjësimin dhe ruajtjen e materialeve dhe substancave të dëmshme / toksike; historia e restaurimit; historia e artit; historia e teknikave artistike; instrumentet dhe pajisjet e restaurimit; instrumentet informatike dhe multimediale për komunikim; teknikat e analizës dhe vlerësimit të rrezikut në restaurimin e trashëgimisë kulturore; teknikat e menaxhimit të buxhetit dhe raportimit; teknikat e dokumentimit, katalogimit dhe arkivimit të trashëgimisë kulturore; teknikat e menaxhimit të magazinave; teknikat e mirëmbajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore; teknikat diagnostikuese të trashëgimisë kulturore; teknikat dhe materialet për paketimin, transportin dhe ruajtjen e veprave; teknikat dhe mjetet e riprodhimit grafik, fotografik dhe dixhitalizimit; teknologjia e materialeve përbërëse të trashëgimisë kulturore; teknologjia e materialeve të restaurimit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë metodat për njohjen e karakteristikave historiko-artistike të pasurisë kulturore. Të zbatojë teknikat e kërkimit bibliografik. Të përdorë mjete raportimi dhe dokumentimi, grafike dhe fotografike, të fazave, të metodave të ekzekutimit dhe të rezultateve të restaurimit. Të përdorë teknikat e rilevimit (fotografik, grafik, gjeometrik, material etj.) të sendeve dhe rikrijimit grafik të degradimit. Të përdorë teknikat dhe metodologjitë e punës në grup. Të zbatojë metodat e analizës të një projekti të ruajtjes dhe restaurimit. Të zbatojë teknika ekzekutive dhe materiale ndërtimi për restaurimin e trashëgimisë kulturore. Të përdorë parimin e zëvendësimit të substancave të dëmshme. Të përdorë mjete raportimi dhe dokumentimi, grafike dhe fotografike, të fazave, të metodave të ekzekutimit dhe të rezultateve të restaurimit. Të përdorë teknikat e restaurimit me ndikim të ulët në mjedis. Të përdorë teknikat dhe instrumentet për zbulimin e vlerave mjedisore të brendshme. Të përdorë teknika për analizën e ndryshimeve dhe formave të degradimit të pasurisë. Të zbatojë teknikat e konsolidimit strukturor dhe sipërfaqësor në trashëgiminë kulturore. Të zbatojë teknikat e dezinfektimit në sipërfaqet dhe strukturat mbështetëse të trashëgimisë kulturore. Të zbatojë teknikat e mbrojtjes së sipërfaqeve të trashëgimisë kulturore. Të zbatojë teknikat e pastrimit të trashëgimisë kulturore. Të zbatojë teknikat e restaurimit të strukturave mbështetëse të trashëgimisë kulturore. Të zbatojë teknikat e stukimit në boshllëqe në sipërfaqet e pikturuara dhe strukturat mbështetëse të tyre. Të zbatojë teknikat për mbështetjen dhe ekspozimin e trashëgimisë kulturore. Të përdorë pajisje personale mbrojtëse siç parashikohet në planet e sigurisë të sektorit të restaurimit të trashëgimisë kulturore. Të përdorë procedurat për identifikimin e anomalive që mund të shfaqen. Të përdorë teknikat për krijimin e një mjedisi të sigurtë pune. Të përdorë procedurat e arkivimit dhe katalogimit të dokumenteve teknike të restaurimit. Të përdorë teknikat e komunikimit efektiv. Të përdorë teknikat e hartimit të dokumentacionit teknik në sektorin e restaurimit. Të zbatojë teknikat e kontrollit, përgatitjes dhe mirëmbajtjes së materialit, mjeteve dhe pajisjeve për restaurim. Të përdorë teknikat për trajtimin dhe paketimin e pasurive kulturore sipas karakteristikave të tyre dhe udhëzimeve teknike të përgjegjësit restaurues. Të përdorë teknikat e furnizimit dhe ruajtjes së pajisjeve dhe materialeve. Të përdorë teknika për organizimin e hapësirave dhe pajisjeve.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Tekniku i restaurimit punon në sektorin publik dhe privat, në sipërfaqe arkitekturore dhe në pasuri të luajtshme të mbrojtura si pasuritë kulturore, për ruajtjen e të cilave po zbatohet një projekt i posaçëm. Ai zotëron pavarësi në marrjen e vendimeve sipas aftësive dhe kompetencave teknike sipas kontekstit të përcaktuar nga përgjegjësi restaurator.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Për të ushtruar këtë profesion nevojitet marrja e licencës sipas një rregullimi të posaçëm nga Ministria e Kulturës.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat e Mesme Artistike Universitetet publike dhe private.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Është një profesion i vlerësuar sidomos për njerëz me kompetenca të dëshmuara nëpërmjet punëve të kryera.
Mundësitë për karrierë
Në përgjithësi tekniku i restaurimit ushtron profesionin e tij si i punësuar. Me përvojë dhe duke u afirmuar profesionalisht, teknikët restauratorë mund të zgjedhin të punojnë si të profesionistë ose sipërmarrës të pavarur me bazë projektesh.
Adresa të dobishme
www.kultura.gov.al; www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al