Jurist në ndërmarrje
Kodi Shqiptar i Profesionit
2611.03
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Specialistë në fushën ligjore (ISCO 261)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit (NACE 69)
Fjalë Kyçe
Jurist, juridik, e drejtë tregtare, e drejta e punës,
Përshkrim i përgjithshëm
Në këtë figurë profesionale ndërthuren veprimtaritë e sipërmarrjes dhe ato juridike. Përveç këshillimit juridik të brendshëm ose të jashtëm, ky profesion përfshin dhe planifikimin dhe ndërhyrjet parandaluese në kontekstin juridik, duke mbrojtur ndërmarrjen nga probleme të mundshme si dhe duke llogaritur përfitimet dhe rreziqet ekonomike. Ai duhet të jetë ekspert në të drejtën e punës, kontratat kombëtare dhe ndërkombëtare, rregulloret ndërkombëtare, ligjin bankar dhe financiar. Juristi kërkohet nga ndërmarrjet për të bërë këshillime në raste mosmarrëveshjesh ligjore, por nuk mund të marrë pjesë në gjykimin përfundimtar.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Juristi në ndërmarrje duhet të jetë në gjendje të rishikojë nga një këndvështrim juridik zgjedhjet strategjike të ndërmarrjes dhe këtu përfshihen këto veprimtari: analizon zgjedhjet, strategjitë dhe veprimet që ndërmarrja zbaton, duke vlerësuar mundësitë ose kufizimet ligjore/kontraktuale që mund të lindin; konsultohet me sektorët e tjerë të ndërmarrjes për të vlerësuar ndikimin dhe rezultatet e strategjive të tyre; konsultohet me ekspertët e sektorit për një analizë të plotë të situatës; orientohet drejt zgjedhjeve që mbrojnë ndërmarrjen; standardizon dhe njëson procedurat e ndërmarrjes, duke zhvilluar strategji organizative, kontraktuale dhe ligjore. Juristi në ndërmarrje duhet të jetë në gjendje të menaxhojë procesin e mbrojtjes ligjore të shërbimeve të ndryshme të ndërmarrjes dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kontrollon saktësinë e procedurave të ndërmarrjes në marrëdhëniet e punës; sigurohet që procedurat për regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave personale kryhen sipas udhëzimeve të ligjit mbi privatësinë; kontrollon përmbajtjen e kontratave dhe mbron interesat e ndërmarrjes; konsultohet me sektorët e ndryshëm të ndërmarrjes për të garantuar eliminimin e mangësive në menaxhimin e procedurave; përgatit dhe përditëson kontratat kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me veprimtaritë e ndërmarrjes si për marrëdhëniet e brendshme dhe ato të jashtme; informon sektorët e ndryshëm të ndërmarrjes për ndryshimet dhe rregullimet ligjore; menaxhon detyrimet e ndërmarrjes; menaxhon mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Juristi në ndërmarrje duhet të jetë në gjendje të menaxhojë procedurat që lidhen me mosmarrëveshjet ligjore dhe këtu përfshihen këto veprimtari: analizon mosmarrëveshjen dhe përpiqet të gjejë një zgjidhje midis palëve pa qenë nevoja për të ndërmarrë veprime ligjore; mban marrëdhënie me juristë të jashtëm dhe ofron gjithë dokumentacioni për mosmarrëveshjet që kanë mbërritur në gjykatë; bashkëpunon me studio ligjore të jashtme për të zgjidhur mosmarrëveshjet; ndjek çështjet e mosmarrëveshjeve deri në përfundimin e tyre; shqyrton ndikimin e mosmarrëveshjeve në ndërmarrje dhe merr masat e nevojshme.
Njohuritë e nevojshme
Është e nevojshme të njohë të drejtën administrative; të drejtën civile; të drejtën e punës; të drejtën ndërkombëtare; të drejtën penale; të drejtën private; kornizën ligjore për sindikatat; legjislacionin tatimor; administrim biznesi; elementë të disiplinimit të kontratave; dinamikat e organizimit të punës; financën; korniza ligjore për mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve; ligjin për sigurimet shoqërore; rregullimet për kontratat kolektive kombëtare të punës (nëse ka); ligjin për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë; procedurat e menaxhimit të personelit; sistemet e shpërblimit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë procedurat për hartimin e kontratave të punës. Të zbatojë procedurat për komunikimin e informacionit ligjor. Të zbatojë teknikat e analizës së procedurave. Të zbatojë teknikat e planifikimit strategjik të biznesit. Të zbatojë teknikat e hulumtimit ligjor. Të zbatojë teknikat e hartimit të marrëveshjeve tregtare. Të zbatojë teknikat e hartimit të raporteve ligjore. Të zbatojë teknikat e analizës "kosto-përfitim". Të zbatojë procedurat gjyqësore administrative. Të zbatojë teknikat e menaxhimit të konflikteve. Të zbatojë teknikat e bisedimeve.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Juristi shpesh punon në ndërmarrje të mesme ose të mëdha. Ai vendoset kryesisht në zyrën ligjore, por edhe në menaxhimin e personelit ose në zyrën e shitjeve. Në disa raste ai është një këshilltar i drejtpërdrejtë i bordit drejtues të ndërmarrjes. Përveç orarit të zakonshëm të punës, ai duhet të jetë i disponueshëm dhe i kontaktueshëm në çdo kohë, nëse lindin çështje që duhet të zgjidhen. Në detyrat e tij përfshihet dhe bashkëpunimi me menaxherët e lartë dhe studiot e jashtme ligjore, që e përfaqësojnë atë në gjykatë, duke marrë vendime strategjike për ndërmarrjen. Mjedisi dhe situata e punës ndryshojnë në varësi të llojit të sektorit, në të cilin vepron ndërmarrja, nëse është ndërmarrje tregtare ose bankare, shoqëri sigurimesh ose prodhuese.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të veçanta. Nevojitet asimim dhe formim i specializuar.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin VI të KSHK-së. Ky profesion në përgjithësi arrihet pas formimit profesional dhe arsimor, nëpërmjet studimeve universitare dhe specializimeve pasuniversitare. Nevojitet një diplomë në shkencat juridike, shkenca politike ose ekonomi dhe tregti. Duke qenë se për këtë profesion nuk është e mjaftueshme vetëm një diplomë, janë krijuar kurse dhe mastera specializimi për formimin specifik të juristit.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat e Mesme Teknike-Ekonomike. Universitete publike e private, fakultetet e ekonomisë. Ofrues privatë të kurseve profesionale.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e përhershme në ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha.
Mundësitë për karrierë
Juristi i ndërmarrjes zakonisht futet në ndërmarrje në rolin e menaxherit ose drejtuesit. Kur rritet në karrierë ai mund të zgjidhet anëtar i Bordit të Drejtorëve ose mund të marrë rolin e administratorit ose presidentit të ndërmarrjes.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al