Instalues mirëmbajtës ashensorësh
Kodi Shqiptar i Profesionit
7224.01
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Instalues dhe riparues të pajisjeve dhe rrjetit elektrike (ISCO 741)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Punime të specializuara ndërtimi (NACE 43)
Fjalë Kyçe
Ashensorë, pajisje ngritëse, mekanikë, elektricitet, elektroteknikë; elektromekanikë.
Përshkrim i përgjithshëm
Montuesi dhe tekniku i mirëmbajtjes së ashensorëve kryen montimin e përbërësve të një ashensori (pjesët mekanike, elektromekanike dhe elektronike), pra, instalimin në ndërtesa banimi, tregtare, industriale, administrative. Kjo veprimtari përfshin gjithashtu rinovimin dhe modernizimin e sistemeve të vjetra, si dhe montimin e shkallëve lëvizëse. Ai kryen riparime mekanike dhe elektrike. Puna e mirëmbajtjes ka të bëjë kryesisht me qarqet elektrike, motorin dhe sistemin e frenimit. Regjistrimi dhe testimi i sistemit janë nën përgjegjësinë e profesionistëve të tjerë. Montuesi dhe tekniku i mirëmbajtjes së ashensorëve kontrollon që pasi ashensori të jetë instaluar, të ndalet në secilin kat; ndërsa parametrat e tjerë (shpejtësia, koha e pritjes, koha e transportit) programohen dhe verifikohen nga organizmat e certifikimit të pajisjes.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Montuesi dhe mirëmbajtësi i ashensorëve duhet të jetë në gjendje të kryejë instalimin e ashensorit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kontrollon manualet udhëzuese dhe skemat e funksionimit; përgatit materialet e nevojshme për instalim; përgatit strukturën mbështetëse metalike dhe udhëzuesit; monton dyert dhe panelet e butonave në katet e ndryshme dhe sistemin e sinjalistikës; transporton motorin e ashensorit në dhomën e duhur dhe e instalon; instalon makineritë dhe tubacionet në pusetën e ashensorit; kryen lidhjet e nevojshme elektrike; monton të gjithë përbërësit e kabinës direkt në pusetë; instalon litarët tërheqës; monton sistemin e frenimit (sistem që lejon bllokimin e kabinës në udhëzues); instalon, kur është e nevojshme, sisteme shtesë të sigurisë siç janë sensorët e zjarrit, sistemet e komunikimit, kamerat dhe sistemet video në raste defektesh, etj. Montuesi dhe mirëmbajtësi i ashensorëve duhet të jetë në gjendje të kryejë mirëmbajtjen e ashensorëve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kryen, në bazë të kontratës, vizita periodike të mirëmbajtjes; kontrollon dhe regjistron përbërësit elektrikë, mekanikë dhe hidraulikë; kryen teste në qarqet e sigurisë; pastron pusetën, dhomën e makinerisë, kabinat; instalon dyert rrëshqitëse dhe sistemin e tyre të mbylljes; kontrollon sistemin e hapjes në secilin kat; kontrollon amortizatorët; kryen vajosjen e mekanizmave; riparon defektet e gjetura; kontrollon funksionimin e saktë të pajisjeve të sigurisë (parashuta, kufizuesi i shpejtësisë, çelsat e sigurisë), gjendjen e litarëve tërheqës, pulexhave dhe sistemeve të frenimit, izolimin e qarqeve elektrike; kryen kontrollet për përbërësit e sistemeve mbi bazën legjislacionit aktual duke bërë të gjitha regjistrimet përkatëse.
Njohuritë e nevojshme
Komponentët elektrikë; elementë të vizatimit teknik; elektronikë; hidraulikë; elementë të inxhinierisë civile; elementë të inxhinierisë industriale; elementë të mekanikës; elektroteknikë; sistemet ngritëse (ashensorë, platforma ngritëse); legjislacioni për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë; rregullat për instalimin e sistemeve të ashensorëve; standardet teknike të sigurisë (kombëtare dhe ndërkombëtare).
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë metodat e shpërndarjes së ngarkesave të tensionit. Të zbatojë metodën e instalimit me tokëzim. Të zbatojë metodën e testimit të produkteve elektrike. Të zbatojë procedurat e kontrollit të funksionimit për përbërësit e ashensorëve dhe platformat ngritëse. Të zbatojë procedurat e monitorimit të funksionimit të sistemeve të ashensorëve. Të zbatojë procedurat e planifikimit operacional. Të zbatojë procedurat për garantimin e sigurisë në kantieret e ndërtimit. Të zbatojë procedurat për sigurimin e sistemeve elektrike. Të zbatojë teknikat e lidhjes së kutive shpërndarëse. Të zbatojë teknikat e instalimit të ashensorit. Të zbatojë teknikat e montimit të panelit elektrik. Të zbatojë teknikat e regjistrimit dhe tarimit të sistemit elektrik. Të zbatojë teknikat e regjistrimit të sistemit të ngritësit. Të përdorë mjetet e verifikimit të sistemeve elektrike. Të përdorë teknikat e riparimit elektrik. Të zbatojë metodën e testimit të produkteve elektrike. Të zbatojë procedurat e mirëmbajtjes rutinë të sistemeve elektrike. Të zbatojë procedurat e mirëmbajtjes rutinë të sistemit ngritës. Të zbatojë procedurat për hartimin e raporteve teknike për ndërhyrjet e kryera. Të zbatojë teknikat e kontrollit të izolimit të sistemeve elektrike Të zbatojë teknikat e diagnostikimit të defekteve të sistemeve elektrike. Të përdorë mjete për riparimin e pjesëve elektrike. Të përdorë pajisje mbrojtëse personale
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Montuesi dhe tekniku i mirëmbajtjes së ashensorëve punon direkt në kantierin e ndërtimit ose në pronën private ku klienti e kërkon. Ai punon me drejtuesin teknik, aty ku është i pranishëm, dhe me çdo teknik dhe projektues tjetër (inxhinierë, arkitektë dhe gjeometër). Ai duhet të jetë në gjendje të punojë në mënyrë të pavarur, ndonjëherë në kushte mjaft të vështira, dhe të respektojë të gjitha masat e sigurisë (veshje mbrojtëse, kaskë, rripa sigurie).

Kërkesat për hyrje në profesion

Për pozicionet e ndihmësit nuk ka kërkesa të veçanta. Për pozicionin e teknikut montues e mirëmbajtës nevojitet licencë për ushtrimin e profesionit.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin IV të KSHK-së. Kualifikim profesional ose diplomë e arsimit të mesëm ose arsimit të lartë teknik në fushën e disiplinave teknike, të integruara me një përvojë të pasur dhe trajnime të përditësuara në sektorin përkatës.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat e Mesme Teknike. Universitete publike e private, fakultetet e inxhinierisë. Ofrues privatë të kurseve profesionale.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e përhershme.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës nëpërmjet ndërmarrjeve të specializuara për instalim dhe/ose mirëmbajtje të ashensorëve. Me përvojë dhe kualifikime mund të arrihet në nivelet e drejtuesit të skuadrave. Mund të punojë në mënyrë të pavarur ose si ortak në bizneset e vogla të sektorit, por gjithnjë me licencën përkatëse.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al