Bukëpjekës
Kodi Shqiptar i Profesionit
7512.04
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Punonjës në teknologjinë ushqimore (ISCO 751)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Përpunimi i produkteve ushqimore (NACE 10)
Fjalë Kyçe
Bukë, prodhim brumërash
Përshkrim i përgjithshëm
Bukëpjekësi merret me prodhimin e bukës dhe të produkteve të pjekura, është në gjendje të ndërhyjë në të gjithë procesin e përpunimit, veçanërisht në prodhimin e variacioneve vendore e krahinore, në përputhje me standardet e ushqimit dhe higjienës. Bukëpjekësi zhvillon veprimtarinë si përmes proceseve manuale, ashtu edhe përmes përdorimit të makinerive dhe pajisjeve (siç janë përzierësit, format, dhomat për ardhjen e brumit, furrat, peshoret etj.). Përcakton përbërësit sipas recetave, punon brumin, ndan në pjesë dhe formon lloje të ndryshme të bukës, realizon fermentimin e duhur të brumit dhe në fund kryen pjekjen duke zbatuar teknikat përkatëse. Bukëpjekësi drejton të gjithë procesin e prodhimit që shkon nga marrja dhe magazimi i lëndës së parë, përgatitja e mjedisit të punës, deri në mirëmbajtjen periodike të makinerive dhe ruajtjen e produkteve të përfunduara. Bukëpjekësi ka njohuri të përshtatshme mbi ushqimin në nivel kombëtar (produktet tipike, recetat, përshtatja e verës me ushqimin) dhe të produkteve tipike të furrës sipas traditave vendore.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Bukëpjekësi duhet të jetë në gjendje të përgatisë kushtet higjieno-sanitare të procesit të pjekjes së bukës dhe këtu përfshihen këto veprimtari: pranojë, kontrollon dhe magazinon lëndët e para dhe ndihmëse; përgatit përbërësit dhe vendin e punës; kryen mirëmbajtjen e makinerive dhe impianteve (lubrifikimin, pastrimin, ndërrimin e vajit etj.); raporton nevojën për shërbime të jashtme dhe për blerjen e pjesëve rezervë; kontrollon kushtet higjieno-sanitare të mjediseve, impianteve, makinerive dhe mjeteve përmes proceseve të pastrimit; kryen dezinsektimin dhe dezinfektimin sipas rregullave dhe standardeve të parashikuara; parandalon ndotjen e ushqimit nga ndotësit fizikë, kimikë dhe biologjikë. Bukëpjekësi duhet të jetë në gjendje të kryejë punimin e brumit, dhënien e formës, fermentimin dhe pjekjen e bukës dhe këtu përfshihen këto veprimtari: përzien përbërësit sipas parametrave të përcaktuar në receta; punon brumin përmes teknikave të zhvendosjes, copëtimit, formimit sipas llojeve të përpunimit, në varësi të recetave specifike dhe formave të bukës që do të realizohen; programon përzierësin sipas kohës të përcaktuar në recetë; vendos parametrat optimalë të dhomave për ardhjen e brumit: kohën, lagështirën, temperaturën; dallon sjelljen dhe shndërrimet fiziko-kimike të produktit; vlerëson dendësinë e produkteve të furrës dhe përcakton kohën e përgjithshme të ardhjes së brumit; zbulon anomalitë në procesin e ardhjes së brumit dhe ndërhyn për t’i ndrequr; përcakton parametrat optimalë për pjekjen në furrë; mbikëqyr procesin e pjekjes; dallon si reagon produkti në furrë; zbulon anomalitë në procesin e pjekjes; vlerëson cilësinë e bukës së prodhuar.
Njohuritë e nevojshme
Kombinimet e produkteve të furrës së me ushqimet e vendit, dhomat e ardhjes së brumit, kultura tradicionale e bukës dhe e produkteve të furrës, elementë të ushqimit dhe pijeve të vendit, elementë të teknologjisë ushqimore, miellërat dhe trajtimet dhe ruajtja e tyre, dukuritë fizike dhe biokimike në pjekjen e produkteve të furrës, makineritë dhe impiantet për produktet e furrës, makineritë për petëzimin, ndarjen dhe formimin e brumërave për produktet e furrës, metodat e punimit të brumërave për produktet e furrës, rregulloret për analizën e rreziqeve dhe pikat kritike të kontrollit (HACCP), rregullat mbi higjienën e produkteve ushqimore, metodat e fermentimit të kontrolluar, proceset e pjekjes, proceset e ruajtjes së ushqimeve, proceset e fermentimit natyral, procesin e përpunimit të produkteve të furrës, produktet e furrës, produktet për pastrimin, dezinfektimin dhe dezinsektimin higjieno-sanitar, cilësia dhe siguria mikrobiologjike e ushqimit, recetat e produkteve të furrës tipike krahinore, standardet e cilësisë së ushqimit, standardet e cilësisë së lëndëve të para ushqimore, teknikat e ruajtjes së produkteve ushqimore, teknikat e petëzimit dhe formimit të brumërave për produktet e furrës, teknologjia e impianteve të pjekjes së produkteve të furrës, shëndeti dhe siguria në punë.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë standardet e higjienës dhe sigurisë së ushqimit. Të zbatojë procedurat e analizës së rreziqeve dhe të pikave kritike të kontrollit (HACCP). Të zbatojë procedurat e kontrollit të gjendjes së ruajtjes së produkteve Të zbatojë procedurat e kontrollit të cilësisë të lëndëve të para për produktet e furrës. Të zbatojë procedurat e mirëmbajtjes së makinerive të bukës. Të zbatojë procedurat për funksionimin e makinerive për produktet e furrës. Të zbatojë procedurat e pastrimit të makinerive dhe pajisjeve për përpunimin e ushqimit. Të zbatojë teknikat e zbulimit të anomalive të makinerive për produktet e furrës. Të zbatojë teknikat për ruajtjen e ushqimeve. Të zbatojë procedurat për kontrollin e parametrave të fermentimit të produkteve të furrës. Të zbatojë procedurat për kontrollin e cilësisë së produkteve të furrës. Të zbatojë procedurat e kontrollit/rregullimit të procesit të pjekjes. Të zbatojë teknikat e pjekjes së produkteve të furrës. Të zbatojë teknikat e fermentimit për produktet e furrës. Të zbatojë teknikat e brumit për produktet e furrës. Të zbatojë teknikat e modelimit të produkteve të furrës Të përdorë pajisjet për ruajtjen e ushqimeve. Të përdorë dhomat e ardhjes së brumit për produktet e furrës. Të përdorë pajisje për mbushjen e produkteve të furrës. Të përdorë impiante për pjekjen e produkteve të furrës. Të përdorë makineri për përgatitjen e brumit për produktet e furrës. Të përdorë lëndë të para për brumin e produkteve të furrës. Të përdorë metoda për kontrollin dhe rregullimin e formës së brumit. Të përdorë metoda për kontrollin e cilësisë së brumit. Të përdorë mjete për kontrollin e aciditetit të brumit.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Veprimtaria ushtrohet në njësitë tregtare të furrave dhe në ndërmarrjet prodhuese tregtare, ose në departamentet e furrës në supermarkete. Bukëpjekësi punon si një punonjës, raporton te përgjegjësi i furrës ose përgjegjësi i repartit të furrës. Puna zhvillohet në mjedise me temperaturë të lartë dhe shpesh parashikon turne natën.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të veçanta.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Kurse të formimit profesional me kohëzgjatje disamujore nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës. Është shumë e rëndësishme pjesa praktike e formimit.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Ofrues të licencuar/akredituar
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e vazhdueshme, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar dhe njohës të specialiteteve.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës. Me kualifikime mund të arrihet në nivele të larta dhe në pozicione si drejtues reparti apo njësie. Profesionistët e suksesshëm zgjedhin edhe të krijojnë njësinë e tyre tregtare.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al