Elektriçist në ndërtim
Kodi Shqiptar i Profesionit
7411
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Instalues dhe riparues të pajisjeve dhe rrjetit elektrike (ISCO 741)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Punime të specializuara ndërtimi (NACE 43)
Fjalë Kyçe
Ndërtim, sisteme elektrike, punime elektrike
Përshkrim i përgjithshëm
Instaluesi dhe tekniku i mirëmbajtjes së sistemeve elektrike realizon, në bazë të indikacioneve të një klienti dhe të projektit të hartuar nga një projektues, sistemin elektrik në të gjitha detajet e tij, duke realizuar instalimin e përbërësve përkatës dhe testimin, duke shoqëruar çdo sistem elektrik me deklaratat e konformitetit në përputhje me normativat në fuqi. Gjithashtu, garanton mirëmbajtjen dhe riparimin e defekteve të mundshme të sistemeve.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Instaluesi elektrik duhet të jetë në gjendje të kryejë instalimin e sistemeve elektrike dhe këtu përfshihen këto veprimtari: lexon vizatimin teknik dhe skemat e instalimit që do të instalohen dhe dokumentacionin përkatës, në bazë të planeve të instalimit të hartuara nga projektuesi arrin të gjurmojë pikat e lidhjes, përzgjedh materialet dhe përbërësit e nevojshëm për instalim, duke kryer montimin e tyre nëse është e nevojshme, harton një plan me ndryshimet në furnizimin me energji për grupe homogjene, siç janë pajisjet shtëpiake, pajisje ngrohëse, makineritë industriale, telefoni, video, etj., sipas zonave dhe grupeve të fuqisë, vendos tubat dhe kutitë e lidhjes, në të cilat duhet të futen përçuesit elektrikë, lidh kutitë e hyrjes, kutitë e degëzimit dhe kutitë elektrike të shpërndarjes, vendos pajisjet e ndryshme të kontrollit dhe lidhë pajisjet e ndryshme elektrike, vendos pajisjet e mbrojtjes, kontrollon funksionimin e përbërësve të instaluar duke analizuar çdo ngjarje të paparashikuar duke identifikuar shkaqet e mundshme dhe zgjidhjet përkatëse, në ndërtesat e reja kryen lidhjen e energjisë elektrike për ndërmarrjen e ndërtimit. Instaluesi elektrik duhet të jetë në gjendje të kryejë testimin e sistemeve elektrike dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kryen ekzaminime vizuale dhe prova me instrumente në mënyrë që të mund verifikojë që komponentët janë montuar sipas projektit, kryen teste dhe rregullime të ndryshme të pajisjeve të veçanta me përbërësit përkatës në përputhje me skemat e sistemit dhe metodat standarde të instalimit, vë në funksionim instalimin e plotë, identifikon mjetet për eliminimin e çdo anomalie në funksionim, vlerëson funksionimin e saktë të pajisjeve të mbrojtjes dhe sigurisë së sistemit, shndërron ndërhyrjet e kryera në të dhëna dhe informacione të nevojshme për deklarimin e konformitetit të sistemit, harton deklaratën e konformitetit që vërteton se sistemi është në përputhje me projektin dhe kërkesat teknike dhe ligjore, udhëzon klientin për funksionimin e pajisjeve të ndryshme të instaluara. Instaluesi elektrik duhet të jetë në gjendje të kryejë mirëmbajtjen e instalimeve elektrike dhe këtu përfshihen këto veprimtari: identifikon metodat dhe instrumentet për verifikimin e funksionimit të duhur të sistemeve, kryen ndërhyrjet për mirëmbajtjen e planifikuar të sistemit, sipas kontratës së asistencës ose sipas kërkesës (zëvendësime të materialeve ose pjesëve të përdorimit, etj.), kontrollon instalimin fizikisht dhe duke e vënë në punë, kontrollon sistemin me prova instrumentale, diagnostikon gabimet dhe keqfunksionimet, kryen zgjidhjen e problemeve në funksionimin e sistemit, bën raportin për veprimtarinë e mirëmbajtjes.
Njohuritë e nevojshme
Kabllot dhe lidhjet elektrike, komponentët elektrikë, vizatimin teknik elektrik, elementë të elektronikës, elementë të sistemeve elektrike civile, elementë të sistemeve elektrike industriale, elektroteknikë, izoluesit dhe veshjet mbrojtëse, rregullat për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, standardet teknike kombëtare të sigurisë, parimet e funksionimit të instalimeve elektrike, mjetet e verifikimit të sistemit elektrik, teknikat e kontrollit të izolimit të sistemit elektrik.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë metodat e shpërndarjes së ngarkesës së tensionit. Të zbatojë metodën e instalimit të tokëzimit. Të zbatojë metodat për instalimin e tubave për sistemet elektrike. Të zbatojë metodat e provës për produktet elektrike. Të zbatojë metodat për gjurmimin e instalimeve elektrike. Të zbatojë metodat për riparimin elektrik. Të zbatojë procedurat e planifikimit operativ. Të zbatojë procedurat për sigurimin e sistemeve elektrike. Të zbatojë procedurat e testimit të sistemit elektrik. Të zbatojë procedurat për hartimin e raportit të provës së sistemit elektrik. Të zbatojë procedurat për hartimin e raporteve teknike për ndërhyrjet e kryera. Të zbatojë procedurat e mirëmbajtjes për sistemet elektrike. Të zbatojë teknikat e lidhjes për kutitë dhe degëzimet për sistemet elektrike. Të zbatojë teknikat e montimit për pajisjet elektrike. Të zbatojë teknikat e montimit të panelit elektrik. Të zbatojë teknikat e rregullimit dhe tarimit të sistemit elektrik. Të zbatojë teknikat e kontrollit të izolimit të sistemit elektrik. Të zbatojë teknikat e diagnostikimit të defektit elektrik. Të përdorë pajisje mbrojtëse personale. Të përdorë mjetet e raportimit. Të përdorë mjetet e verifikimit të sistemit elektrik. Të përdorë mjetet për provat në ndërtim. Të përdorë mjetet për riparimin e pjesëve elektrike.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Instaluesi dhe mirëmbajtësi i sistemeve elektrike punon në kantierin e ndërtimit dhe ndërhyn me kërkesë të klientit, gjithashtu edhe në banesa private. Bashkëpunon me drejtuesin teknik kur kërkohet, dhe me teknikë të tjerë dhe projektues (inxhinier, arkitekt dhe gjeometër). Në kantierin e ndërtimit ai bashkëpunon me artizanë të tjerë ose muratorë, suvatues, shtruesit e dyshemeve dhe mureve për të bashkërenduar veprimtarinë në fazat e ndryshme të ndërtimit. Vepron në fushat e ndërtimit civil dhe industrial kryesisht në mënyrë të pavarur ose si i punësuar në ndërmarrje të këtij sektori.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nevojitet arsim bazë profesional ose një formim profesional i specializuar. I domosdoshëm është edhe kualifikimi periodik për sigurinë në punë me sisteme elektrike.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin IV të KSHK-së. Diplomë shkollës së mesme profesionale, dega elektrike. Kurse të formimit profesional me kohëzgjatje nga disamujore deri në 2-vjeçare nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale Teknike Ofrues të licencuar/akredituar
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e lartë, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës elektricist. Me kualifikime mund të arrihet në nivele të larta dhe në pozicione si përgjegjës grupi, drejtues punimesh ose kantieri. Profesionistë të suksesshëm zgjedhin edhe të punojnë me porosi e projekte e të mos jenë në punësim të vazhdueshëm.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al