Instalues dhe mirëmbajtës i sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit
Kodi Shqiptar i Profesionit
7127.02
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Punëtorë të tjerë të punimeve të finiturës në ndërtim (ISCO 712)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Punime të specializuara ndërtimi (NACE 43)
Fjalë Kyçe
Ngrohje, ftohje, kondicionim, instalues
Përshkrim i përgjithshëm
Instaluesi dhe tekniku i mirëmbajtjes së sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit programon dhe kryen montimin e sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit në të gjitha detajet e tyre, duke u kujdesur për inspektimin përfundimtar dhe vënien në punë të përbërësve përkatës sipas rregulloreve aktuale dhe specifikimeve teknike të përcaktuara nga projektuesi. Gjithashtu, garanton mirëmbajtjen e sistemeve dhe riparimin e çdo defekti.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Instaluesi dhe tekniku i mirëmbajtjes së sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit duhet të jetë në gjendje të kryejë instalimin e sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: interpreton vizatimin teknik / skemën e ndërtimit të një sistemi termo-hidraulik dhe të kondicionimit, identifikon materialet, përbërësit dhe mjetet e nevojshme dhe funksionale për punët që duhet të kryhen, kryen instalimin e gjeneratorit të nxehtësisë, duke filluar nga planet e instalimit dhe planet e montimit të hartuara nga projektuesi, kryen lidhjet e qarkut të furnizimit të energjisë, instalon pompën e qarkullimit, valvulën e përzierjes, pajisjet mbyllëse dhe matëse, kryen montimin e tubave të shpërndarjes, bën sharrimin, përpunimin, dhënien e formës , filetimin dhe saldimin e tubave prej çeliku ose bakri, bën lidhjet me pajisjet e filetuara ose të salduara, kryen lidhjen e pajisjeve të ngrohjes - në rastin e sistemeve të radiatorëve - ose kryen mbështjelljen e tubave sintetikë, kryen izolimin, në mënyrë që të shmangë humbjen e panevojshme të nxehtësisë, kryen instalimin e pajisjeve të trajtimit të ajrit, armaturave dhe pajisjeve rregulluese, kryen bashkimin e kanaleve dhe përçuesve, bën modelimin e fletëve metalike të holla dhe metaleve me trashësi të ndryshme, instalon pajisjet mbrojtëse. Instaluesi dhe tekniku i mirëmbajtjes së sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit duhet të jetë në gjendje të kryejë testimin e sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: sigurohet për mbylljen e sistemit të ujësjellësit dhe shpërndarjen e saktë të nxehtësisë në dhomat e ndryshme, kontrollon sistemin e kondicionimit, kontrollon standardet e sigurisë dhe eficiencën e sistemit, kryen gradimin dhe vënien në punë të instalimit të përfunduar, identifikon mjetet për heqjen e çdo anomalie operative, vlerëson funksionimin e saktë të pajisjeve të mbrojtjes dhe të sistemit, shndërron ndërhyrjet e kryera në të dhëna dhe informacione të nevojshme për deklarimin e konformitetit të sistemit, harton raportet e testimit. Instaluesi dhe tekniku i mirëmbajtjes së sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit duhet të jetë në gjendje të kryejë mirëmbajtjen e sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: identifikon metodat dhe instrumentet për të verifikuar funksionimin e saktë të sistemeve, kryen ndërhyrje të planifikuara të mirëmbajtjes të sistemit, zakonisht sipas një kontrate shërbimi, për zëvendësimet e materialeve ose pjesëve të përdorura etj., kryen kontrollin e sistemit përmes inspektimit dhe vëzhgimit, kryen kontrollin e sistemit përmes testeve instrumentale, identifikon/diagnostikon defektet dhe keqfunksionimet, zgjidh problemet e funksionimit të sistemit, harton raportet e mirëmbajtjes, kryen mirëmbajtjen dhe kontrollin periodik të sistemit të ngrohjes të nevojshëm për lëshimin e dokumentacionit të saktë.
Njohuritë e nevojshme
Vizatimi teknik termo-hidraulik, elementë të ndërtimit hidraulik, elementë të vizatimit teknik, elementë të ekologjisë, elementë të elektronikës, elementë të inxhinierisë elektrike, elementë të inxhinierisë civile, elementë të inxhinierisë industriale, elementë të termodinamikës, njohuri të hidraulikës, sistemet e kondicionimit, sistemet termohidraulike, izoluesit dhe veshjet mbrojtëse, rregulloret për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, standardet teknike për instalimin e sistemeve të gazit, rregullat për instalimin e sistemeve të kondicionimit, standardet teknike për hartimin e sistemeve hidraulike, procedurat e instalimit të sistemeve termike, rrjetin e ujësjellësit qytetës dhe lidhjet e shërbimeve, skemat e sistemeve hidraulike, mjetet e kontrollit për sistemet e gazit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë kriteret për përcaktimin e materialeve të ndërtimit të sistemit hidraulik. Të zbatojë metoda të testimit të fizibilitetit teknik për sistemet e ngrohjes. Të zbatojë procedurat e planifikimit operacional. Të zbatojë teknikat e lidhjes së kutive dhe derivateve për sistemet elektrike. Të zbatojë teknika për përcaktimin e paraqitjes dhe strukturës së sistemeve të ngrohjes. Të zbatojë teknikat të përcaktimit të prurjes dhe të elementëve të sistemit hidraulik. Të zbatojë teknikat e filetimit të pjesëve metalike. Të zbatojë teknikat e montimit për sistemet e kondicionimit / ngrohjes. Të zbatojë teknikat e shtrimit të tubave. Të zbatojë teknikat e vendosjes së materialeve izoluese. Të përdorë mjete për përpunimin e metaleve (gërshërë të mëdha, makineri për përkuljen e metaleve). Të zbatojë teknikat e saldimit të metaleve dhe aliazheve. Të zbatojë teknikat e rregullimit dhe kalibrimit për sistemet e kondicionimit / ngrohjes. Të zbatojë procedurat e testimit për sistemet e kondicionimit / ngrohjes. Të ndjekë procedura të mirëmbajtjes periodike për sistemet e kondicionimit / ngrohjes. Të zbatojë teknikat e diagnostikimit të defekteve të sistemeve të kondicionimit / ngrohjes. Të zbatojë procedurat e zëvendësimit të përbërësve të sistemit të kondicionimit /ngrohjes. Të zbatojë procedurat e pastrimit për mekanizmat e sistemeve termike. Të përdorë pajisje mbrojtëse personale. Të përdorë mjetet e kontrollit të sistemit të gazit. Të përdorë mjete për kontrollin e ndërtimeve. Të përdorë metodat e riparimit të sistemeve të ngrohjes, elektrik dhe hidraulik. Të përdorë instrumentat e raportimit. Të hartojë raportin e provës së sistemit hidraulik. Të hartojë raportin e provës së sistemit të ngrohjes. Të hartojë raporte teknike për ndërhyrjet e mundshme.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Instaluesi dhe mirëmbajtësi i sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit vepron drejtpërdrejt në kantierin e ndërtimit ose kudo ku ndërtohet (shtëpi, spital, derdhje, industri) ose në shtëpi private. Ai punon me drejtuesin teknik, aty ku është i pranishëm si dhe me teknikë dhe projektues (inxhinierë, arkitektë dhe gjeometër). Në kantierin e ndërtimit ai bashkëpunon ngushtë me muratorë, elektricistë, instalues hidraulik dhe furnitorë të pajisjeve rregulluese, për të bashkërenduar veprimtaritë në fazat e ndryshme të ndërtimit.

Kërkesat për hyrje në profesion

Instalimi, zgjerimi, shndërrimi dhe mirëmbajtja e sistemeve termo-hidraulike dhe të kondicionimit duhet të kryhet vetëm nga operatorë të kualifikuar, në zotërim të një certifikate që vërteton aftësitë e tyre tekniko-profesionale.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin IV të KSHK-së. Kërkohet kualifikim profesional, diplomë e arsimit të mesëm ose arsimit të lartë teknik në fushën e disiplinave teknike, të ndërthurura me përvojë pune, si dhe një përditësim i vazhdueshëm i njohurive teknike veçanërisht në lidhje me teknikat e reja të izolimit dhe shfrytëzimit të energjisë alternative.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat profesionale teknike ose universitetet. Ofrues të formimit profesional të licencuar/akredituar.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e vazhdueshme, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Mund të gjejë punësim në ndërmarrje ndërtimi, organe publike, persona privatë ose në mënyrë të pavarur. Shpesh procesi i punësimit nis si punonjës dhe më pas mund të bëhet një zejtar pronar (titullar)i një biznesi të vogël.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al