Karpentier për konstruksione
Kodi Shqiptar i Profesionit
7115.06
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Punëtorë ndërtimi dhe profesione të lidhura me to (ISCO 711)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Ndërtimi i ndërtesave (NACE 41)
Fjalë Kyçe
Ndërtim, montim, struktura ndërtimi, konstruksion
Përshkrim i përgjithshëm
Karpentieri i ndërtimit është në gjendje të realizojë struktura në beton arme, si të reja ashtu dhe ato që synojnë rimëkëmbjen dhe përforcimin, duke përgatitur shufrat e përforcimit, duke realizuar kasetat në dru ose me materiale të tjera, duke kryer hedhjen e konglomeratit të betonit dhe çmontuar strukturat e ndërtuara. Monton elementë gjysmë të parafabrikuar dhe të parafabrikuar, kryen punimet përfundimtare në beton.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Karpentieri i ndërtimit duhet të jetë në gjendje të realizojë kallëpe dhe këtu përfshihen këto veprimtari: lexon dhe interpreton vizatimet teknike ekzekutive të punimeve në beton arme në mënyrë që të kuptohet zhvillimi gjeometrik i objekteve dhe organizon punën e tyre, gjurmon pozicionin planimetrik të strukturave dhe referencat e nevojshme për ndërtimin/shtrimin e kallëpeve, duke u kujdesur për shtrirjen dhe pozicionin e saktë sipas udhëzimeve të projektit, zgjedh drurin e duhur (sipas madhësisë dhe tipologjisë) për të realizuar kallëpet sipas të udhëzimeve të projektit, realizon punë të përkohshme (skela, ankorime etj.) në funksion të montimit të kallëpeve, të ekzekutimit të hedhjes së betonit dhe të çmontimit, ndërton kallëpe duke ngulur dërrasat dhe elementet e tjera prej druri, duke realizuar strukturat mbështetëse dhe skelat e nevojshme dhe duke u kujdesur për vertikalitetin dhe horizontalitetin e elementëve strukturorë, interpreton grafikë të përpunuar të projektit dhe detajet e ndërtimit në lidhje me karpenterinë për zgjedhjen dhe përpunimin e shufrave të çelikut që do të përdoren në realizimin e elementëve strukturorë (themele, trarë, shtylla, mure etj.), pret shufrat e çelikut sipas përmasave të projektit nëpërmjet prerjes me dorë ose mekanike, u jep formë shufrave të çelikut sipas udhëzimeve të vizatimeve zbatuese, duke realizuar shufra gjatësore, kllapa dhe elementë të tjerë përforcues duke përdorur mjete manuale ose makina përthyese, monton në punishte ose në vend përforcime metalike të prera dhe në formë, duke lidhur ose salduar elementët e ndryshëm sipas dokumenteve të projektimit, vendos kafazët metalike përforcues brenda kallëpeve, komunikon dhe di si të koordinohet me kolegët e punës, teknikët dhe/ose konsumatorët. Karpentieri i ndërtimit duhet të jetë në gjendje të realizojë hedhjen e betonit brenda kallëpeve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: organizon zonat e tranzitit, lëvizjen dhe hedhjen e betonit, në rastin e përdorimit të betonit të gatshëm, të siguruar nga betonieret e jashtme, dozon materialet për paketimin e betonit (lidhës, agregate, aditivë) në raport me llojin, sasinë, granulometrinë dhe tipologjinë e përdorimit dhe rezistencën e pritur, përzien përbërësit e betonit me ndihmën e makinerive (betoniere, përzierës, etj.), duke kontrolluar karakteristikat e përzierjeve të përftuara, duke patur parasysh raportin mes ujit dhe çimentos dhe punueshmërinë, realizon hedhjen e betonit brenda kallëpeve, duke u kujdesur për shpërndarjen homogjene rreth përforcimeve dhe duke ngjeshur konglomeratin nëpërmjet dridhjeve manuale ose mekanike, me synim që të favorizojnë kompaktësinë dhe mbushjen që rrisin karakteristikat e rezistencës, është në gjendje të kontrollojë cilësinë e punimeve të kryera. Karpentieri i ndërtimit duhet të jetë në gjendje të realizojë çmontimin e strukturave të beton-armesë dhe këtu përfshihen këto veprimtari: çmonton strukturat e ndërtuara prej betoni, duke hequr kallëpet dhe ndërtimet mbështetëse, duke respektuar kohën e tharjes, sjelljen statike të strukturave, kontrollon tharjen (pjekjen) e punimeve të betonit në përputhje me kohën e udhëzuar nga projekti dhe me udhëzimet e drejtuesve të ndërtimit, duke patur parasysh dhe ndryshimet e mundshme në varësi të kushteve klimaterike, verifikon sipërfaqet e jashtme të betonit duke eliminuar çdo defekt, përfundon sipërfaqet e jashtme të betonit duke aplikuar trajtime të mundshëm, çmonton punimet e përkohshme, rikuperon elementët e kallëpeve të parafabrikuar dhe aty ku është e mundur drurin e ripërdorshëm, duke pastruar sipërfaqet, kontrollon cilësinë e punimeve të kryera.
Njohuritë e nevojshme
Konglomerat çimentoje, elementë të vizatimit teknik, elementë të gjeometrisë, elementë të teknologjisë së materialeve të ndërtimit, metodat e hedhjes së konglomeratit të çimentos, legjislacioni në lidhje me ndërtimin dhe funksionimin e kantiereve të ndërtimit, legjislacionin në lidhje me sigurinë në kantieret e ndërtimit, legjislacionin mbi mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, termat mbi teknologjinë e materialeve metalike të ndërtimit, organizimi i kantiereve të ndërtimit, proceset e punës në ndërtim, proceset e ndërtimit të një ndërtese, teknikat e kompaktësimit të konglomeratit të çimentos, teknikat e planifikimit të veprimtarisë, tipologjitë dhe karateristikat e materialeve të ndërtimit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë procedurat e montimit të elementëve parafabrikatë. Të zbatojë procedurat rutinë për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe mjeteve të punës në ndërtim. Të zbatojë procedura kontrolli të përputhshmërisë së punimeve në ndërtim. Të zbatojë procedurat e sigurisë në kantieret e ndërtimit. Të zbatojë procedurat që verifikojnë cilësinë e punimeve në ndërtim. Të zbatojë procedurat që kontrollojnë progresin e punimeve në ndërtim. Të zbatojë teknikat e vendosjes së skelave. Të zbatojë teknikat e kontrollit të cilësisë së materiale të ndërtimit. Të zbatojë teknikat e ndërtimit të kallëpeve. Të zbatojë teknikat e montimit të skelave prej druri. Të zbatojë teknikat e planifikimit të veprimtarive. Të zbatojë teknikat e përthyerjes së metalit. Të zbatojë teknikat e instalimit të strukturave prej druri. Të zbatojë teknikat e instalimit të strukturave prej metali. Të zbatojë teknikat e montimit të strukturave mbrojtëse të përkohshme. Të zbatojë teknikat e studimit dhe gjurmimit të planit të themeleve të një ndërtese. Të zbatojë teknikat e saldimit të metaleve dhe lidhjeve. Të zbatojë teknikat e prerjes së metaleve. Të zbatojë teknikat e dozimit të konglomerateve (rërë, çimento, aditivë...). Të zbatojë teknikat e përzierjes së konglomeratit. Të zbatojë teknikat e instalimit të betonit. Të zbatojë teknikat e finiturave të konglomeratit të çimentos. Të zbatojë teknikat e montimit/çmontimit të pjesëve metalike. Të përdorë mjete pune ndërtimi (trapanë, dalta, matrapikë...). Të përdorë pajisje për hedhjen e betonit nga përzierësit. Të përdorë pajisje mbrojtëse personale. Të përdorë makineri ndërtimi. Të përdorë instrumente të raportimit.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Karpentieri i ndërtimit punësohet brenda kantiereve në sektorin e ndërtimeve, kryesisht si punonjës me kohë të plotë i ndërmarrjeve të ndërtimit të të gjitha madhësive, apo edhe si i punonjës autonom. Si punëtor i ndërmarrjeve të ndërtimit merr udhëzime nga menaxherët , nga drejtuesit e kantierit dhe/ose nga teknikët. U shpërndan vetë detyra punëtorëve nën drejtimin e tij. Si punonjës autonom ai merr detyra nga klienti dhe/ose teknikët dhe nga ndërmarrjet, në emër të të cilave mund të zhvillojë veprimtarinë e tij duke u koordinuar me punëtorët e tjerë të pranishëm në kantier. Puna kryhet në kantier gjatë ditës. Puna parashikon ngarkesë fizike të vazhdueshme. Kërkohet përdorimi i pajisjeve për parandalimin e aksidenteve dhe respektimi i normave specifike të sigurisë te parashikuara për kantieret e ndërtimit.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nevojitet kualifikim profesional dhe një përvojë e mirë pune në sektor.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Diplomë e arsimit të mesëm profesional në fushën e ndërtimit ose nga fakultetet e ndërtimit në universitete. Kurse të formimit profesional nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale të Ndërtimit Fakultetet e Inxhinierisë së Ndërtimit. Ofrues të licencuar/akredituar
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e lartë, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Niveli i pagës bruto
Fillon me 70.000 lekë (i ndryshueshëm në varësi të vendit)
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës i një kolegu me përvojë më të gjatë. Me kualifikime mund të arrihet në pozicione si drejtues apo kantieri. Shumë herë profesionistët e suksesshëm zgjedhin edhe të punojnë me porosi e projekte e të mos jenë në punësim të vazhdueshëm.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al