Operator turistik
Kodi Shqiptar i Profesionit
3335
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Agjentë të shërbimeve të biznesit (ISCO 333)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Agjenci udhëtimi, operator turistik dhe të tjera aktivitete të shërbimit të rezervimit (NACE 79)
Fjalë Kyçe
Turizëm, agjent udhëtimi,
Përshkrim i përgjithshëm
Operatori i agjencisë së udhëtimit garanton menaxhimin e plotë të turizmit si në kontakt me klientët ashtu edhe në zyrë (front office e back office). Ai u siguron klientëve informacione, këshillim dhe mbështetje. Ai shet bileta për transporte dhe qëndrime kombëtare e ndërkombëtare, paketa turistike, udhëtime dhe programe të personalizuara. Merret me prenotimin, me përpilimin dhe shpërndarjen e kuponave (vouchers), si dhe me kontratat dhe përgatitjen e të gjithë dokumentacionit në lidhje me shërbimin e ofruar. Ai përgatit materialin publicitar duke zbatuar strategji efektive marketingu.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Operatori i agjencisë së udhëtimit duhet të jetë në gjendje të ofrojë shërbim mbështetës dhe këshillim turistik dhe këtu përfshihen këto veprimtari: analizon kërkesat e klientit, i siguron klientit të gjitha informacionet në lidhje me itineraret e udhëtimeve, me kostot, kushtet e qëndrimit, dokumentacionin e udhëtimit, informacione mbi kushtet e higjienës dhe praktikat burokratike që duhen kryer, përgatit planin e udhëtimit duke u nisur nga udhëzimet e klientit, formalizon dhe përcjell te klienti vlerën e ofertës së udhëtimit, i prezanton klientit propozimin e udhëtimit, duke bërë modifikimet e mundshme, kryen vlerësimin teknik të ankesave të klientit, duke vlerësuar vërtetësinë e tyre, mbështet klientin në plotësimin e praktikave burokratike. Operatori i agjencisë së udhëtimit duhet të jetë në gjendje të kryejë në mënyrën e duhur shitjen e biletave të udhëtimit, të udhëtimeve të personalizuara dhe të paketave turistike dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kontakton shoqëritë e transportit për të verifikuar gatishmërinë, kushtet dhe tarifat, i paraqet klientit të gjitha zgjidhjet e mundshme, i këshillon klientit zgjedhjen optimale, bën rezervimet, lëshon biletën e udhëtimit, ndjek praktikat e pagesës sipas mënyrave të zgjedhura nga klienti e të parashikuara nga shërbimi i transportit, kryen praktikat e brendshme administrative, përgatit kontratën e udhëtimit, përgatit dokumentat e udhëtimit dhe i përcjell klientit të gjitha informacionet në lidhje me të. Operatori i agjencisë së udhëtimit duhet të jetë në gjendje të menaxhojë paraqitjen e materialit publicitar të agjencisë turistike dhe këtu përfshihen këto veprimtari: organizon materialin publicitar dhe informues për publikun, duke u siguruar që ai të jetë gjithmonë i disponueshëm dhe i arritshëm, kontrollon shpëndarjen e katalogjeve te klientët sipas sasisë dhe llojit, përditëson periodikisht materialin e ekspozuar.
Njohuritë e nevojshme
Njohuri kompjuterike, njohuri të paraqitjes së katalogjeve dhe materialeve promovuese, fusha e publicitetit, marketingu turistik, tregu i turizmit, normativat e agjencive të udhëtimit, procedurat që lidhen me biletat e udhëtimit, mënyra e organizimit të punës në agjencitë turistike, procedurat për rezervimin e shërbimeve të transportit dhe të qëndrimit, procedurat për paraqitjen e ankesave, proceset organizative të paketave turistike, llojshmëri e strukturave akomoduese turistike (bed & breakfast, hostel, agroturizëm..), strategjitë promovuese, teknikat turistike dhe profesionale, teknikat e komunikimit publicitar, teknikat e rezervimit, teknikat e promovimit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë kriteret e planifikimit të orareve Të zbatojë kriteret për përzgjedhjen e itinerareve Të zbatojë metodologjitë e analizës së kushteve pritëse të hotelit Të zbatojë metodologjinë për përcaktimin e karakteristikave të paketave turistike Të zbatojë metodat për plotësimin e dokumenteve të udhëtimit Të zbatojë procedurat për menaxhimin e ankesave Të zbatojë teknika analizimi të kërkesave për shërbime turistike Të zbatojë teknika të komunikimit efektiv Të zbatojë teknikat e informimit për ofertat turistike Të zbatojë teknika për analizimin e tregut turistik Të zbatojë metodat e përcaktimit të çmimeve për shërbimet (turistike) Të zbatojë procedurat e rezervimit për shërbimet turistike Të zbatojë procedurat e rezervimit të udhëtimeve përmes internetit Të zbatojë procedurat për administrimin e dokumentacionit të udhëtimit Të zbatojë procedurën për përgatitjen e kuponave Të zbatojë teknikat e komunikimit efektiv Të zbatojë teknikat e organizimit të rezervimeve të shërbimeve turistike Të përdorë pajisje për lëshimin e biletave të udhëtimit Të zbatojë metodat për organizimin e rafteve dhe hapësirës së shitjeve Të zbatojë teknikat e komunikimit publicitar Të zbatojë teknikat që lidhen me veprimtaritë promovuese Të zbatojë teknikat e ruajtjes së besnikërisë së klientelës Të zbatojë teknikat promovuese
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Operatori i agjencisë të udhëtimit dhe turizmit duhet të kryejë punën e tij pranë recepsionit të agjencisë, duke përdorur kompjuterin dhe në kontakt të ngushtë me klientët, me punonjësit e agjencive të tjera të udhëtimit dhe të shoqërive të transportit. Një pjesë e veprimtarisë zhvillohet zakonisht në zyrë, prandaj parashikohet të ketë intensitet puna e zyrës (back office). Kërkohen aftësi të mira ndërvepruese, të njohjes së nevojave dhe dëshirave të klientëve në organizimin e udhëtimit. Profili ideal përbëhet nga kombinimi i prakticitetit me aftësinë e kryerjes me përpikmëri të procedurave. Duke patur parasysh ndryshimet në këtë sektor, po bëhemi dëshmitar të një profili të ri, drejt një qasjeje më shumë këshilluese, krahas veprimtarive tradicionale dhe tashmë të konsoliduara.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të posaçme. Nevojitet arsim bazë dhe mosha 16 vjeç.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin IV të KSHK-së. Kurse të formimit profesional me kohëzgjatje të disamujore nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës, ose ndjekja e shkolla profesionale më të gjata të specializuara për hoteleri dhe turizëm. Kryerja e disa praktikave në pozicione të ndryshme në agjenci turistike ndihmon shumë për të njohuritë e nevojshme për vende të tilla pune. Zotërimi i gjuhëve të huaja në nivel të rrjedhshëm komunikimi është avantazh i rëndësishëm.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale të Hotelerisë dhe Turizmit. Ofrues të licencuar/akredituar.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Punësim gjendet në agjencitë e udhëtimit. Këto përfaqësojnë element parësor në shërbimin e turizmit. Kërkesa për këtë profesion është e lartë, sidomos për njerëz me përgatitje të gjerë dhe kompetencë profesionale.
Niveli i pagës bruto
Fillon me 50.000 lekë (i ndryshueshëm në varësi të vendit).
Mundësitë për karrierë
Përvoja e fituar në pozicionin e operatorit turistik apo agjentit të udhëtimit krijon mundësi të ndryshme për karrierë në sektorin e turizmit. Mbas një përvoje të konsoliduar, njerëzit mund të zgjedhin të krijojnë një sipërmarrje të vetën.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.atu.org.al; www.ata.org.al; www.shum.al; www.profesionisti.al; www.karriera.al