Agjent në sigurime
Kodi Shqiptar i Profesionit
3321.01
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Komisionerë (Brokera) dhe agjentë të shit-blerjeve (ISCO 332)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Sigurimi, risigurimi dhe financimi i fondeve të pensioneve, përjashtuar sigurimin shoqëror të detyrueshëm (NACE 65)
Fjalë Kyçe
Sigurime, siguracion, shoqëri sigurimi, agjent sigurimi.
Përshkrim i përgjithshëm
Agjenti i sigurimeve merret me shitjen dhe administrimin e një game të gjerë të produkteve të sigurimit, bazuar në kërkesat e klientit dhe në përputhje me kushtet kontraktuale të përcaktuara nga shoqëria e sigurimeve, për të cilën ai punon. Në përputhje me rregulloret e këtij sektori, ai është i aftë të identifikojë nevojat e klientit dhe të propozojë produktet më të përshtatshme, duke vënë në dukje kostot, kushtet dhe kufizimet në mënyrë që të menaxhojë rinovimin ose modifikimin e kontratave. Kujdeset gjithashtu edhe për ndihmesë ndaj klientit edhe në fazën pas shitjes dhe në veçanti në rast mosmarrëveshjesh në lidhje me ndodhitë dhe dëmet e mundshme.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Agjenti i sigurimeve duhet të jetë në gjendje të planifikojë shitjen e produkteve të sigurimeve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: dallon dhe zgjedh klientët e mundshëm (sipas llojit, kategorisë profesionale, veprimtarisë, zonës së vendbanimit, grupmoshës, gjinisë e të tjera); mbledh materiale, referenca dhe të dhëna për grupin e synuar; organizo logjistikën (numrin minimal të takimeve javore, vendin, mjetin e transportit, etj.); organizon takime sipas procedurave të kërkuara nga shoqëria siguruese; harton dosjen e klientit me të dhënat personale dhe informacionet e marra gjatë bisedave telefonike. Agjenti i sigurimeve duhet të jetë në gjendje të shesë produkte të sigurimeve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: analizon nevojat e klientit; prezanton produktet e sigurimit dhe formulat e konsideruara të përshtatshme për kërkesën, duke nënvizuar kushtet e policës së sigurimit (tiparet, përfitimet, kufizimet, mënyrat e pagesës, etj.); formulon një ofertë për klientin duke i paraqitur edhe dokumentin standard për kushtet e sigurimit; merr porosinë, lidh kontratën, duke hartuar dokumentacionin e nevojshëm brenda afateve dhe sipas metodave të kërkuara nga shoqëria e sigurimeve; dërgon te klienti praktikën, faturën dhe çfarë është e nevojshme për transaksionin; dorëzon në agjenci dosjen, paratë e dërgesës, pranimin dhe çdo gjë që kërkohet për transaksionin. Agjenti i sigurimeve duhet të jetë në gjendje të menaxhojë portofolin e klientëve të një shoqërie sigurimi dhe këtu përfshihen këto veprimtari: i komunikon dhe i shpjegon klientit në kohë çdo ndryshim në kushtet e kontratë (rritje / ulje në primet, taksat, zbritjet, përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrimet e të siguruarit dhe të shoqërisë siguruese); merret vesh me klientin, bazuar në kushtet/nevojat e tij të ndryshuara në lidhje me rrezikun e siguruar, nëse ka nevojë që të bëhen ndryshime në kontratë; përgatit dhe plotëson formularët e nevojshëm për regjistrimin e pagesës, sipas procedurave të brendshme të shoqërisë së sigurimit; dërgon ndryshimet kontraktuale/kontratën e rinovuar te drejtuesit e shoqërisë së sigurimit; mbikëqyr zbatimin e saktë të dispozitave kontraktuale; kontrollon dhe arkivon raportet përfundimtare në lidhje me zbatimin e kontratës duke u kujdesur që ato të jenë të qarta dhe shteruese. Agjenti i sigurimeve duhet të jetë në gjendje të ndihmojë klientët e shoqërisë së sigurimit në rast dëmesh dhe këtu përfshihen këto veprimtari: menaxhon mosmarrëveshjet lidhur me dëmet mbi bazën e dokumenteve të paraqitura dhe kërkesës për dëmshpërblim; kryen procesin e hapjes së dosjes që lidhet me mosmarrëveshjen për dëmet dhe të përgatisë dokumentacionin përkatës; dërgon dokumentacionin tek inspektorati i dëmeve; menaxhon komunikimet me ekspertë, likuidues dhe avokatë, dhe informon klientin; kontrollon shumën e pagesës për të vlerësuar me klientin mundësinë e një dëmshpërblimi të mundshëm duke u kujdesur të veprojë në pajtueshmëri me rregulloret aktuale duke i kushtuar rëndësi saktësisë së informacionit.
Njohuritë e nevojshme
Aspektet teknike dhe tatimore të sigurimit të pasurisë; aspektet teknike dhe tatimore të sigurimit të jetës; elementët disiplinues të kontratave; elementë të marketingut; tregu i shërbimeve siguruese dhe financiare; legjislacioni mbi kontratat e sigurimit; rregulloret mbi profesionin e agjentit (ndërmjetësit = broker) të sigurimeve; parimet e teknikës së sigurimit; strategjitë e shitjeve; teknikat e shitjeve.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë metodologjitë e punës sipas objektivave. Të planifikojë dhe të organizojë kontaktet e biznesit. Të zbatojë teknikat e planifikimit të veprimtarisë. Të zbatojë teknikat promovuese për produktet e sigurimeve. Të zbatojë teknikat e klasifikimit të klientëve. Të zbatojë teknikat për analizën e kërkesës së tregut. Të zbatojë teknikat e komunikimit të sigurtë dhe bindës. Të zbatojë teknikat e ndërveprimit me klientët. Të zbatojë teknikat e shitjes së shërbimeve Të zbatojë teknikat e analizës së mbulimit të sigurimeve. Të zbatojë teknikat e arkivimit të të dhënave të ndërmarrjes. Të zbatojë teknikat për nxitjen e besnikërisë së klientit.Të zbatojë praktikat e menaxhimit të dëmeve. Të zbatojë procedurat e komunikimit formal ligjor. Të zbatojë procedurat e menaxhimit të mosmarrëveshjeve administrative. Të zbatojë procedurat për vlerësimin nga ekspertët. Të zbatojë teknikat e menaxhimit të konflikteve.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Punon si i punësuar ose i vetëpunësuar për llogari të shoqërive të sigurimit

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Preferohet arsimim i mesëm ose i lartë me drejtim ekonomik, ligjor ose financiar. Për profile të tjera studimore është i nevojshëm formimi nëpërmjet trajnimeve të posaçme.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Universitete publike e private. Shoqatat e sektorit. Ofrues të licencuar të formimit profesional (për elementë jo teknikë të formimit).
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e vazhdueshme.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të futesh fillimisht duke njohur proceset e zyrës në shoqëritë e sigurimit dhe në agjencitë e tyre. Me përvojë dhe kualifikime mund të arrihet në pozicione drejtues për njësi shitjesh, për produkte të caktuara ose për zona të caktuara gjeografike.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al