Logjist
Kodi Shqiptar i Profesionit
1324.12
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Drejtues të prodhimit në miniera, ndërtim dhe shpërndarje (ISCO 132)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Magazinimi dhe aktivitete mbështetëse për transportin (NACE 52)
Fjalë Kyçe
Logjistikë, transport, tregti.
Përshkrim i përgjithshëm
Logjisti, ose tekniku i logjistikës, administron dhe kontrollon lëndët e para, produktet gjysmë të gatshme dhe të gatshme dhe të gjitha informacionet që lidhen me to. Menaxhon rrjetin e shpërndarjes, organizon rrjedhën logjistike të materialeve, ndjek planet e furnizimit dhe administron depon e mallrave.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Logjisti duhet të jetë në gjendje të menaxhojë fluksin e informacioneve dhe dokumenteve të mallrave dhe këtu përfshihen këto veprimtari: identifikon objektivat, funksionet kryesore dhe strukturën e një sistemi të menaxhimit për fluksin e informacionit të magazinimit; mbikëqyr dhe gjurmon mallrat përmes përdorimit të mjeteve informatike duke kontrolluar vazhdimisht fluksin e tyre; vlerëson informacionin dhe të dhënat për rrjedhën fizike dhe sasinë e mallrave të magazinuar; kontrollon nëse mallrat janë dorëzuar sipas kritereve të përcaktuara, duke ofruar zgjidhje për çdo anomali që mund të shfaqet gjatë rrugës; përcakton logjistikën e funksionimit të depove në varësi të strukturës fizike të tyre; përcakton kriteret dhe procedurat standarde për ruajtjen, lëvizjen dhe përpunimin e mallrave në depo; identifikon metodat dhe procedurat për monitorimin e nivelit të sigurisë së stoqeve (gjendjeve në magazinë); përcakton dhe zbaton procedurat për integrimin e kompjuterizuar të të dhënave për funksionet e ndryshme të sistemit të ndërmarrjes. Logjisti duhet të jetë në gjendje të menaxhojë rrjetin e shpërndarjes së mallrave dhe këtu përfshihen këto veprimtari: vlerëson kombinimet më efikase të shpërndarjes së mallrave sipas ndarjes së zonave; identifikon transportuesit më të përshtatshëm sipas llojit të mallrave dhe kohës së caktuar të shpërndarjes; analizon tregun e shërbimeve të transportit; lidh marrëveshje tregtare me ofruesit e shërbimeve të transportit; përcakton kriteret për shpërndarjen e mallrave në varësi të llojit të transportuesit dhe fazave të ndryshme të shkarkimit; identifikon treguesit e kostos që lidhen me shpërndarjen fizike të mallrave. Logjisti duhet të jetë në gjendje të zbatojë planet e blerjeve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kryen standardizimin e proceseve të administrimit të mallrave; mbikëqyr gjendjet në magazina; përcakton nivelet minimale e maksimale të gjendjes së magazinës në raport me prodhimin dhe nevojat e shitjeve; mbikëqyr dhe kontrollon fluksin e mallrave; raporton flukset hyrëse dhe dalëse të mallrave dhe kostot logjistike
Njohuritë e nevojshme
Elementë të kontabilitetit industrial; elementë të organizimit të punës; logjistikë; logjistikë transporti; modelet e kontrollit në zinxhirin e furnizimit; normativa dhe legjislacioni kombëtar e ndërkombëtar për sigurinë e magazinave dhe depove; normativa e transportit; organizimi i transportit të mallrave; procedurat administrative, tatimore dhe doganore në lidhje me dërgesat kombëtare dhe ndërkombëtare; procedurat e administrimit të gjendjeve të magazinës; proceset e logjistikës së integruar; rrjetet e komunikimit dhe transportit; sistemi i shpërndarjes; sistemet e magazinimit dhe të lëvizjes së mallrave; sistemet menaxheriale dhe organizative të magazinës së mallrave; teknikat e planifikimit të veprimtarive; llojet e ndryshme të ambalazhimit dhe paketimit; llojet e mallrave dhe veçoritë e magazinimit dhe ruajtjes së produkteve bujqësore.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë konventat për transportin ndërkombëtar. Të zbatojë metodat e administrimit të gjendjeve të magazinës. Të zbatojë procedurat administrative dhe të kontabilitetit për regjistrimin e fluksit të magazinës. Të zbatojë procedurat e mbikëqyrjes të transportit të mallrave. Të zbatojë procedurat për raportimin e jokonformiteteve të mallrave. Të zbatojë procedurat doganore për importin dhe eksportin e mallrave. Të zbatojë procedurat e prokurimit. Të zbatojë procedurat për realizimin e inventarit të depove. Të zbatojë teknikat e ruajtjes së mallrave. Të zbatojë procedurat për optimizimin e transportit të mallrave. Të zbatojë teknikat e analizës së kostos. Të zbatojë teknikat e kontrollit të menaxhimit. Të zbatojë teknikat për planifikimin e menaxhimit të stoqeve. Të zbatojë teknikat e planifikimit të veprimtarive. Të zbatojë teknikat e analizës organizative. Të zbatojë teknikat e analizës statistikore së të dhënave. Të zbatojë teknikat e menaxhimit të depove. Të zbatojë teknikat e mbikëqyrjes së nivelit të shërbimit. Të zbatojë teknikat e mbikëqyrjes së planit të punës. Të zbatojë teknikat e programimit logjistik. Të përdorë programin ERP (Enterprise Resource Planning). LKP, pune hulumtueses, pershkrim per profesione te ngjashme, pershkrim i posacem, takime per validimin
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Logjisti punon si në ndërmarrje prodhuese, industriale dhe tregtare, ashtu edhe në ndërmarrjet e shërbimeve të transportit ose logjistikës. Ky funksion gjen hapësirë në të gjithë sektorët e prodhimit, por veçanërisht në fushën e transportit, duke pasur në fokus ruajtjen dhe transportin e mallrave/produkteve, edhe për palë të treta. Një mjedis i mundshëm pune është ai i pikave të shitjes me shumicë, magazinave të mëdha ose rrjeteve të dyqaneve. Në përgjithësi ai ushtron profesionin e tij si i punësuar. Në marrëdhëniet e brendshme, ai është në kontakt të vazhdueshëm veçanërisht me departamentin e shitjeve dhe blerjeve, atë të prodhimit dhe me menaxherin e logjistikës (zinxhirit të furnizimit). Ai bashkëpunon me funksione të ndryshme të biznesit, të tilla si: departamenti organizativ, departamenti për administrimin e burimeve njerëzore dhe në veçanti me sistemet e informacionit. Në rastet kur ai punon në ndërmarrje të specializuara në sistemet e logjistikës, logjisti bashkëpunon ngushtë me departamentin e shitjes, duke ndërhyrë në hartimin e faturës dhe kontratës me klientin.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të veçanta formale, por shpesh kërkohet një diplomë tekniko-ekonomike e arsimit të mesëm ose një kualifikim i arsimit të lartë së bashku me një kurs specializimi në logjistikë.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Diplomë universitare ose diplomë e arsimit të mesëm, e shoqëruar me përvojë shumëvjeçare në logjistikë, transport, magazinim ose me kurse specializimi në logjistikë. Diplomat më të preferuara janë ato në fushën e menaxhimit dhe ekonomisë (administrim, biznes, degët e shkencave fiziko-matematikore). Për këtë profesion shpesh organizohen programe të posaçme master. Diplomat në fushën teknike dhe tregtare kanë rëndësi. Ekzistojnë gjithashtu kurse trajnimi në këtë sektor. AKAFPK, www.ascal.al

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat e Mesme Teknike Universitetet publike dhe private Shoqata ndërkombëtare të sektorit mund të ofrojnë kurse teknike të shkurtra.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Është një profesion i vlerësuar në veçanërisht në ndërmarrjet e mëdha dhe në ndërmarrjet e specializuara të transportit dhe logjistikës. Kërkesa është e vazhdueshme në treg për persona të përkushtuar dhe me kompetencë të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Në përgjithësi logjisti ushtron profesionin e tij si i punësuar. Në këtë profesion mund të futesh si ndihmës logjist dhe me përvojë dhe kualifikime mund të arrihet në përgjegjës logjistike e deri në pozicionin e menaxherit të logjistikës apo zinxhirit të furnizimit. Persona me qasje sipërmarrëse mund të zgjedhin të krijojnë ndërmarrjet e tyre të logjistikës.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al