Drejtues punimesh në ndërtim
Kodi Shqiptar i Profesionit
2142.29
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Profesionistë të inxhinierisë (përjashtuar elektroteknologjinë) (ISCO 214)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Ndërtimi i ndërtesave (NACE 41)
Fjalë Kyçe
Ndërtim, projektim, drejtim punimesh, kantier ndërtimi.
Përshkrim i përgjithshëm
Kjo figurë profesionale drejton punimet në ndërmarrjet e ndërtimit. Ai sigurohet që punimet në kantierin e ndërtimit kryhen sipas projektit dhe specifikimeve përkatëse, në përputhje me dispozitat ligjore, duke optimizuar ekonominë e punimeve dhe duke organizuar punëtorët, klientët, ndërmarrjet dhe nënkontraktorët me qëllim realizimin e një pune në përputhje me projektin ekzekutiv. Ai mbikëqyr ndërtimin dhe funksionimin e kantierit të ndërtimit dhe koordinon punën e kryer nga ndërmarrje të ndryshme të ndërtimit, harton buxhetin në përfundim të punimeve dhe kryen testimin e punimeve të kryera. Veprimtari të tjera përfshijnë përgatitjen e dosjes së ofertës, llogaritjen e kostove të ndërtimit, hartimin e ofertave dhe shlyerjen e detyrimeve që lidhen me ndërtimin.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Drejtuesi i punimeve në ndërtim duhet të jetë në gjendje të kontrollojë realizimin e punimeve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: garanton respektimin e dispozitave ligjore për parandalimin e aksidenteve në kantieret e ndërtimit; verifikon përputhshmërinë e punimeve me projektin dhe planin e zbatimit; garanton pajtueshmërinë me dispozitat për mbrojtjen e mjedisit; mbikëqyr në mënyrë të vazhdueshme cilësinë e kryerjes së punimeve të ndërtimit; kontrollon pajtueshmërinë me dispozitat teknike, udhëzimet dhe rregulloret; kontrollon ecurinë e punimeve në ndërtim; harton dhe plotëson dokumentacionin në lidhje me mbarëvajtjen e punës në kantier; kryen prova të ngarkesës dhe verifikimin e punimeve të ndryshme (themelet, dyshemetë, shkallët, instalimet, sistemet); plotëson raportet që vërtetojnë rezultatet e testeve të ngarkesës, të cilat i bashkëngjiten raportit përfundimtar. Drejtuesi i punimeve në ndërtim duhet të jetë në gjendje të mbikëqyrë ngritjen e kantierit të ndërtimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: përgatit dhe menaxhon kërkesat për miratim për projekte ndërtimi dhe autorizimet administrative; harton planet e ndërtimit dhe planet e funksionimit të kantierit; harton planet për furnizimin e kantierit; kryen negociata me kontraktorët privatë, publikë dhe nënkontraktorët; kryen negociata me furnitorët; mbikëqyr organizimin e shërbimeve, zyrave, magazinave, depove të materialeve, etj.; mbikëqyr përgatitjen e materialeve, pajisjeve, makinerive për ndërtim. Drejtuesi i punimeve në ndërtim duhet të jetë në gjendje të formulojë oferta për projekte ndërtimi dhe këtu përfshihen këto veprimtari: përgatit dosjen e ofertës; formulon oferta duke u bazuar sidomos te dosja e kërkesës për ofertë, projektet, planet e zbatimit, llogaritjet statike; llogarit çdo kosto të shërbimeve të pjesshme, përcakton çmimet për njësi dhe çmimin përfundimtar të ofertës në tërësi; harton preventivët dhe bilancet përfundimtare të punimeve; përgatit oferta dhe llogarit shpenzime të shtuara për shërbime shtesë jashtë kontrate; bën matjen sasiore të punimeve të kryera bashkë me përfaqësuesit e palës kontraktuese; verifikon faturat dhe llogaritë përfundimtare të furnitorëve dhe nënkontraktuesve.
Njohuritë e nevojshme
Kriteret e hartimit të preventivit; vizatimi (arkitektura); elementë të teknologjisë së ndërtimit; higjiena e punës; legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit; tregu i produkteve të ndërtimit; korniza ligjore për përgatitjen dhe funksionimin e kantiereve të ndërtimit; normativa dhe kuadri rregullues për certifikimin e materialeve të ndërtimit; legjislacioni për sigurinë e ndërtimeve; legjislacioni për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë; rregulloret për parandalimin e aksidenteve në sektorin e ndërtimit; procesi i organizimit të kantierit të ndërtimit; rregullat e ndërtimit për mbrojtjen e mjedisit; proceset e punës në ndërtim; procesi i ndërtimit të një objekti; testet e ngarkesës dhe verifikimit në objektet e ndërtimit; inxhinieria e ndërtimit; teknikat e analizës së kostos në ndërtim; teknikat e komunikimit bindës; teknikat e kontabilitetit në punët ndërtimore; teknikat e menaxhimit të kantierit të ndërtimit; teknikat e planifikimit të veprimtarive; teknikat e projektimit në ndërtim; llojet dhe karakteristikat e materialeve të ndërtimit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë procedurat e bashkërendimit të punës. Të zbatojë metodat e kontrollit të funksionimit të pajisjeve të sigurisë. Të zbatojë procedurat e kontrollit të konformitetit të punimeve në ndërtim. Të zbatojë procedurat për kryerjen e provave të ngarkesës në strukturat ndërtimore. Të zbatojë procedurat për hartimin e certifikatave për kryerjen e punimeve të objekteve të ndërtimit. Të zbatojë procedurat për hartimin e raporteve të testeve të ngarkesës në materialet e ndërtimit. Të zbatojë procedurat për hartimin e raporteve të testeve të rezistencës për objektet e ndërtimit. Të zbatojë procedurat e garantimit të sigurisë në kantieret e ndërtimit. Të zbatojë procedurat për verifikimin e zbatimit të dispozitave për parandalimin e aksidenteve. Të zbatojë procedurat e kontrollit të materialeve ndërtimore. Të zbatojë procedurat e kontrollit të cilësisë në kryerjen e punëve ndërtimore. Të zbatojë procedurat që garantojnë respektimin e dispozitave për mbrojtjen e mjedisit. Të zbatojë procedurat përkatëse në raste të mosrespektimit të rregullave të sigurisë.Të zbatojë procedurat e kontrollit të ecurisë të punimeve në ndërtim. Të zbatojë teknikat e planifikimit të pajisjeve së sigurisë në kantieret e ndërtimit. Të zbatojë teknikat e planifikimit të procedurave të sigurisë në kantieret e ndërtimit. Të zbatojë teknikat e hartimit të planit për ndërtimin e kantierit. Të zbatojë teknikat e hartimit të planit të blerjeve. Të zbatojë teknikat e hartimit të planeve operative në kantieret e ndërtimit. Të zbatojë teknikat e analizës së kostove. Të zbatojë teknikat e vizatimit teknik në ndërtim. Të zbatojë teknikat e përgatitjes të dosjes së ofertës. Të zbatojë teknikat e llogaritjes metrike. Të zbatojë teknikat e projektimit në ndërtim. Të zbatojë teknikat e hartimit të dokumentacionit. Të përdorë teknikat e planifikimit të veprimtarive. Të përdorë mjetet e analizës së sigurisë dhe cilësisë së mjedisit. Të përdorë instrumente raportimi. Të përdorë teknikat e menaxhimit të personelit. Të përdorë teknikat e negocimit. Të përdorë teknikat e menaxhimit të projektit. Të përdorë programe kompjuterike për menaxhimin e projekteve. Të përdorë mjete për llogaritjen metrike në ndërtim. Të përdorë teknikat për përgatitjen e preventivit të punimeve. Të përdorë pajisje mbrojtëse personale.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Drejtuesi i punimeve në ndërtim punon në mënyrë ta pavarur. Ai kryen veprimtarinë e tij në ndërmarrje të sektorit të ndërtimit. Ai raporton drejtpërdrejt te klienti. Ai bashkëpunon me klientët, furnitorët, shërbimet administrative, nënkontraktorët dhe, në kontekstin e ndërmarrjes së ndërtimit, me drejtuesin e kantierit, shërbimet e menaxhimit, zyrën e kërkimit. Veprimtaria e tij përqendrohet në kantieret e ndërtimit, por përfshin si punën në zyrë ashtu edhe në kantier më qëllim mbikëqyrjen dhe bashkërendimin e punimeve. Oraret e punës janë fleksibël dhe mund të përfshijnë edhe fundjavat. Përgjegjësia e një kantieri ndërtimi kërkon pavarësi dhe bashkëpunim të ngushtë me personelin e ndërtimit dhe personelin e zyrës teknike.

Kërkesat për hyrje në profesion

Diplomë universitare nga fakultetet e ndërtimit ose të lidhura me të, regjistrimi në regjistrin profesional pas kalimit të provimit shtetëror.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Përveç formimit shkollor, nevojiten edhe kurse të posaçme trajnimi për përdorimin e sistemeve kompjuterike, përditësime të vazhdueshme profesionale dhe zhvillim aftësish personale.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Universitete publike e private, fakultetet e inxhinierisë
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është vazhdimisht e lartë, sidomos për shkak të nevojës së këtij profili që tek i njëjti person të kombinohen një larmi e gjerë njohurish dhe aftësish.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës për të fituar përvojë. Me përvojë dhe kualifikime mund të arrihet në nivelet e drejtuesit të kantiereve dhe më pas në pozicionin e drejtuesit të punimeve, apo edhe në drejtues teknik të ndërmarrjeve të ndërtimit. Mund të punojë në mënyrë të pavarur si profesionist i lirë.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al