Inxhinier projektues ndërtimi
Kodi Shqiptar i Profesionit
2161.07
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Arkitektë, projektues, studiues dhe dizenjues (ISCO 216)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Aktivitete arkitekture dhe inxhinierike; aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike (NACE 71)
Fjalë Kyçe
Ndërtim, projektim.
Përshkrim i përgjithshëm
Inxhinieri projektues në ndërtim harton, duke interpretuar nevojat e klientit, projekte ndërtimi, kryen rinovimin e ndërtesave publike dhe private, në përputhje me rregulloret dhe legjislacionin në fuqi. Ai zhvillon aspektin teknik të projektit përmes përdorimit të programeve të posaçme kompjuterike CAD (Computer Aided Design) të përshtatshme për nevoja ndërtimi. Ai kryen studime të zonave të synuara për realizimin e projekteve të ndërtimit, për të konstatuar mundësitë e realizimit të tyre.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Projektuesi në ndërtim duhet të jetë në gjendje të kryejë një inspektim në zonat potencialisht të menduara për realizimin e projekteve të ndërtimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: bën interpretimin e hartave dhe hartografive; kryen përpunimin e të dhënave hartografike territoriale; identifikon informacione për analizën e territorit; identifikon nevojën e ndërhyrjes së ekspertëve si gjeologët, topografët etj.; analizon objektet ekzistuese të ndërtimit dhe karakteristikat morfologjike të tokës; kryen studimin grafik dhe fotografik duke përdorur instrumente të posaçme; bën vlerësimin e ndikimit mjedisor; harton një raport teknik për realizueshmërinë e projektit të ndërtimit ose rindërtimit. Projektuesi në ndërtim duhet të jetë në gjendje të realizojë një projekt ndërtimi dhe këtu përfshihen këto veprimtari: lexon udhëzimet dhe informacionet e marra nga kërkimet e bëra në zonat e planifikuara për ndërtim; interpreton udhëzimet e projektit të diktuara nga inxhinieri civil ose arkitekti; harton projektin e ndërtesave/strukturave duke përdorur instrumente informatike; përshtat stilin e projektit me karakteristikat arkitektonike të zonës; krijon vizualisht skicën përfundimtare të projektit; bën raporte dhe vizatime me dorë (arkitektonike, strukturore dhe sistemesh) dhe përmes përdorimit të instrumenteve informatike të posaçme duke parashikuar ndryshime të mundshme, që mund të shfaqen gjatë rrugës; siguron informacione dhe autorizime nga organet publike duke identifikuar personat e duhur të kontaktit, metodat dhe kohën e domosdoshme për përfundimin e procedurave.
Njohuritë e nevojshme
Vizatim teknik arkitektonik; elementë të legjislacionit mjedisor dhe të legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit; elementë të teknologjisë së ndërtimit; vlerësim kostosh; burimet e informacionit për analizën e territorit; metodat e analizës së territorit; metodat e paraqitjes grafike dhe simulimit tredimensional; metodat për vlerësimin e ndikimit në mjedis; rregulloret për certifikimin e materialeve të ndërtimit; rregulloret për sigurinë në ndërtim; legjislacioni për planifikimin e territorit; legjislacioni për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë; standardet kombëtare dhe ndërkombëtare në ndërtim; planifikimi mjedisor; proceset e punës në ndërtim; procesin e ndërtimit të një objekti; shkenca e inxhinierisë së ndërtimit; instrumentet tradicionale të matjes në ndërtim; planifikimi urban; teknikat e projektimit në ndërtim; teknikat për mbledhjen e informacioneve; llojet dhe karakteristikat e materialeve të ndërtimit; topografi dhe hartografi;
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë procedurat që sigurojnë respektimin e dispozitave për mbrojtjen e mjedisit. Të zbatojë teknikat e vizatimit teknik në ndërtim. Të zbatojë teknikat e përpunimit të të dhënave të hartografisë territoriale. Të zbatojë teknikat për mbledhjen e informacioneve arkitektonike. Të zbatojë teknikat e projektimit në ndërtim. Të zbatojë teknikat e paraqitjes grafike të gjetjeve dhe informacioneve të mbledhura. Të zbatojë teknikat e hartimit të dokumentacionit. Të zbatojë teknikat e studimit të tokës ku do të ndërtohet. Të përdorë programe kompjuterike të posaçme për simulimin e ndikimit mjedisor. Të përdorë mjetet e analizës së sigurisë dhe cilësisë së mjedisit. Të përdorë instrumente matëse digjitale në ndërtim. Të përdorë teknikat e raportimit. Të përdorë mjete për kryerjen e studimeve. Të zbatojë procedurat e hartimit të raporteve të llogaritjes strukturore. Të zbatojë teknikat e llogaritjes metrike për produktet e ndërtimit. Të përdorë teknikat e negocimit. Të zbatojë teknikat e planifikimit të procedurave të sigurisë në kantieret e ndërtimit. Të zbatojë teknikat e paraqitjes grafike të detajeve të ndërtimit. Të përdorë teknikat e paraqitjes grafike të studimeve paraprake që lidhen me procesin e ndërtimit. Të përdorë teknikat e vëzhgimit dhe gjurmimit të planit të themeleve të një objekti ndërtimi. Të zbatojë teknikat e projektimit të strukturave arkitektonike. Të përdorë pajisje mbrojtëse personale. Të përdorë programe kompjuterike të projektimit. Të përdorë mjete për llogaritjen metrike në ndërtim.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Projektuesi i ndërtimit punon në mënyrë të pavarur në studiot profesionale të projektimit dhe të vizatimit teknik në sektorin e ndërtimit ose në zyrat teknike të administratës publike. Ai vepron në bashkëpunim dhe duke ndjekur udhëzimet e inxhinierit të ndërtimit ose arkitektit, i përgjigjet drejtpërdrejt klientit dhe bashkëpunon po thuajse me të gjithë sektorët e kompanisë. Veprimtaria e tij zhvillohet në kantieret e ndërtimit ose rindërtimit dhe përfshin punën në zyrë dhe vizita në terren, me qëllim vlerësimin e realizueshmërisë së projekteve. Orari i punës është kryesisht gjatë ditës, por mund të ndryshojnë sipas nevojave të punës dhe klientëve.

Kërkesat për hyrje në profesion

Diplomë universitare nga fakultetet e ndërtimit ose të lidhura me të, regjistrimi në regjistrin profesional pas kalimit të provimit shtetëror.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Përveç formimit shkollor, nevojiten edhe kurse të posaçme trajnimi për përdorimin e sistemeve kompjuterike dhe përditësime të vazhdueshme.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Universitete publike e private, fakultetet e inxhinierisë.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e përhershme.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës projektues për të fituar përvojë. Me përvojë dhe kualifikime mund të arrihet në nivelet e drejtuesit të skuadrave dhe pozicione më të larta drejtues në ndërmarrjet e ndërtimit. Mund të punojë në mënyrë të pavarur si profesionist i lirë.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al